Mbi 100 milionë euro janë humbjet nga vjedhja e rrymës në Maqedoni

Mbi 100 milion euro janë humbjet nga vjedhja e energjisë elektrike që kur EVN-ja operon në vend. Nga kjo kompani thonë se rajonet më problematike ku shfrytëzimi i paautorizaur është në përqindje më të madhe janë Haraçina, Gërçeci, Saraji, Krushopeku, Hasanbegu, Serova dhe Studeniçani.

“Rreth 5% e energjisë elektrike shfrytëzohet pa autorizim, gjegjësisht vidhet. 5% janë rreth 300.000 MWh. Të gjitha humbjet e energjisë elektrike, humbjet teknike dhe komerciale (vjedhjet), EVN-ja i gjen në treg të hapur me çmim tregu. Nëse e marrim si çmim tregu 300 euro për MWh (për momentin shkojnë edhe deri 500 euro për MWh), harxhimet për vjedhjen e energjisë elektrike janë mbi 100 milion euro”, njoftojnë nga EVN.

Humbjet janë reduktuar në 50% që nga 2006 e këndej. Nga kompania praktikisht pranojnë se një pjesë e humbjeve nga vjedhja e rrymës kalkulohen në faturat e të gjithë qytetarëve të tjerë.

“Humbjet e papranuara nga vjedhjet e energjisë elektrike janë në llogari të EVN – Elektrodistribuim, kurse një pjesë e humbjeve kalkulohen në çmimin e energjisë elektrike sipas metodologjisë për llogaritjen e energjisë elektrike nga ana e Komisionit Rregullator të Energjetikës”, thonë nga EVN.

EVN-ja ankohet se nuk mund të vendosë rregull në shfrytëzimin dhe pagesën e rrymës në disa rajone për shkak se nëpunësit e tyre përballen me sulme verbale dhe fizike, dëmtim të pajisjeve dhe alarmeve por edhe mbështetje jo të mjaftueshme nga policia për ndërhyrje të koordinuar.

Debati mbi pagesën e faturave dhe vjedhjen e rrymës u aktualizua ditëve të fundit kur banorë të Haraçinës denoncuan mungesën disaditore të rrymës në të gjithë fshatin. Kompania tha se bëhet fjalë për defekt të shkaktuar nga ngarkesa e madhe e trafostacioneve. Banorët e cilësuan si gënjeshtër për të dhënë një pasqyrë jo të mirë për fshatin. Ata që folën para kamerës këmbëngulën se janë pagues të rregullt të faturave dhe se nuk ka vjedhje masive të rrymës në fshat. Humbjet nga shfrytëzimi i energjisë elektrike në Komunën e Haraçinës shkojnë deri 80%.