Mosmarrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është transferuar edhe në Shqipëri. Beteja ka të bëjë me përkatësinë etnike të minoritetit që jeton në rrethin Golobordo dhe Gora dhe kërkesën për komuna të reja në të dy rrethet, raporton “Top Çenëll”.
Televizioni transmeton qëndrimet e Vasil Sterjovskit, kryetar i shoqatës “Dielli” dhe Razi Ramës, kryetar i shoqatës “Golobordo”.
“Presim që pakicës maqedonase t’i shtohen edhe dy komuna të tjera përveç komunës së Pustecit, të cilës duam t’ia ndryshojmë emrin në komuna e Prespës. Ne kërkojmë komunën e Gorës në rrethin e Kukësit dhe komunën e Golobordos në rrethin e Peshkopisë, sepse besojmë se reforma e vitit 2014 në këto zona dështoi sepse komuniteti maqedonas nuk kishte përfaqësim”, thotë Sterjovski.
Një kërkesë të ngjashme kanë edhe përfaqësuesit e minoritetit bullgar, shoqata e të cilëve “Golobordo” i ka dërguar kërkesë Komisionit për Reformën Territoriale, shton televizioni.
“Identiteti i komunitetit kulturor dhe tradicional nga zona e Golobordos është i papajtueshëm me zonat e tjera të bashkive Bulqizë dhe Librazhd. Në këtë kuptim kërkojmë që zona e Golobordos me tre njësitë administrative Ostreni, Steblevë dhe Trebisht të jetë një komunë më vete me emrin komuna Golobordo”, tha Rama.
Sipas Sterjovskit, megjithatë, në vitin 2017, nën presionin e Bullgarisë, Kuvendi i Shqipërisë njohu “një pakicë bullgare inekzistente përtej kritereve”.
“Në vitin 2017, Kuvendi, nën presionin e Bullgarisë, e cila kërcënoi me veton për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, njohu një minoritet bullgar inekzistent jashtë kritereve. Presioni i Bullgarisë për asimilimin e komunitetit maqedonas është i madh, sidomos tani që jemi afër regjistrimit të popullsisë në tetor”, tha Sterjovski.