Qendër Zhupa dhe Mavrovë Rostusha u bënë me kryetar komune. Në Qendër Zhupë fitoi kandidati i vetëm në garë Arijan Ibraim, i cili vjen nga Partia Demokratike e Turqve i mbështetur nga LSDM-ja.
Në Mavrovë Rostushë fitoi kandidati i LSDM-së, Medat Kurtovski. Pas shpallje së rezultateve preliminare nga KSHZ, Kurtovski ju premtoi bashkëqytetarëve të tij se do të punojë për realizimin e premtimeve të dhëna.
“Kjo fitore e madhe për ne nënkupton edhe përgjegjësi të madhe dhe premtoj se ndershëm dhe me përgjegjësi do t’i realizojmë të gjitha projektet për vendbanimet tona. Rroftë Mavrovë-Rostushë, rroftë LSDM, rroftë Republika e Maqedonisë së Veriut”, tha Medat Kurtovski, kryetar i Mavrovë Rostushë.
Në përkrahje dhe për t’i uruar fitoren Kurtovskit i pranishëm ishte edhe kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski. Tha se për të është fitore e parë në zgjedhje që kur ai udhëheqë me socialdemokratët.
“Jo vetëm në Mavrovë Rostushë, po edhe në Qendër Zhupë fitoi koncepti evropian i koalicionit qeverisës. Sot kishim zgjedhje në dy komuna dhe në të dy komunat fituan kandidatët e koalicionit tonë. Kjo është fitorja e parë që kur unë e udhëheqë koalicionin evropian dhe kjo është shumë domethënëse sepse tregon dhe konfirmon politikat e drejta dhe të vërteta që i udhëheqim për qytetarët dhe shtetin”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM.
OBRM-PDUKM doli me kritika duke thënë se në këto dy komuna të vogla duhej nga tre herë të votohej për ta arritur censusin, për shkak eksodit që ka shkaktuar pushteti.
“Zhgënjyes është fakti që qeverisja e LSDM-së dhe Taçe Kovaçevski duhet tre here të përsërisë zgjedhjet në komunat siç janë Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë që të ketë mjaftueshëm vota sepse gjatë kohës se Zoran Zaev dhe Taçe Kovaçevski, populli masovikisht është shpërngulur, kemi eksod. Nuk ka mjaftueshëm njerëz që të dalin në votime dhe tre herë duhet të përsëriten zgjedhjet që të zgjidhet kryetar komune”, pohoi Vllatko Gjorçev.
Në komunën Qendër Zhupë dje u votua për herë të dytë, ndërsa në Mavrovë Rostushë për së treti herë, për shkak se në zgjedhjet paraprake nuk u arrit censusi për të kaluar pragun zgjedhor.