Mariçiq: Skriningu intensiv, nga 15 shtatori

Nga 15 shtatori institucionet dhe administratën publike i pret një periudhë intensive e përshtatjes me rolin e tyre gjatë skriningut me BE-në. Zv/kryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq në intervistë për Alsat, thotë se paralelisht më skriningun i cili do të zgjasë deri në nëntor të vitit 2023, do të zhvillohet edhe procedura e ndryshimeve kushtetuese. Nëse ka referendum, Mariçiq thotë se pyetja e duhur do të jetë: A jeni për anëtarësim të vendit në BE.

Z. Mariçiq, mirë se vini në këtë intervistë. Skriningu është një proces tashmë i filluar zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut. Si zhvillohet përgatitja e administratës publike për skriningun bilateral dhe sa pritni që të zgjasë në total ky proces?

“Me konferencën e parë ndërqeveritare e cila u mbajt më 19 qershor praktikisht u miratua dhe vendimi për skriningun. Atëherë e kishim edhe sesionin e parë hyrës për skriningun. Ky proces vazhdon nga 15 shtatori dhe andej. Tashmë kemi kalendar i cili zgjat deri në nëntor të vitit 2023. Do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë do të jetë plotësimi i akteve të reja të cilat janë miratuar në BE dhe prezantimi i tyre para administratës tonë sipas kapitujve dhe kllasterëve ose i ashtuquajturi skriningu shpjegues. Ne tashmë e kemi pasur një fazë të tillë në vitet 2018-2019 dhe kjo do të jetë plotësim i asaj që tashmë e kemi dëgjuar me aktet e reja të tre viteve të fundit. Pas përfundimit të këtij skriningu shpjegues vijon skriningu bilateral në të cilin janë përfshirë jo vetëm Komisioni Evropian, ne dhe Shqipëria por edhe vendet anëtare dhe të gjithë ata do të japin edhe vlerësimin e tyre për harmonizimin tonë në të gjitha pjesët, në të gjitha kllasterët dhe në të gjithë kapitujt. Ne tashmë punojmë në përfundimin e strukturës negociuese me të gjitha aktet dhe emërimet. Presim që ta prezantojmë publikisht deri në fund të këtij muaji. Më pas presim në një periudhë intensive deri më 15 shtator të gjithë ministrive dhe të gjitha institucioneve t’u sqarojmë se cili është roli i tyre gjatë skriningut dhe nga 15 shtatori të fillojmë me atë proces”, deklaroi Bojan Mariçiq.

– Hapja dhe mbyllja e kllasterëve nuk pritet që të jetë një proces i lehtë për vendin. Cilët prisni që të jenë kapitujt më të vështirë?

“Secili kapitull dhe secili kllaster ka peshën e tij. Ata janë gjashtë në numër në përgjithësi dhe secili ka rëndësinë e tij në integrimin e vendit në BE. Sigurisht, më i rëndësishëm dhe me peshë më të madhe i vendosur nga vetë metodologjia e re e negociatave është kllasteri për të drejtat themelore i cili hapet i pari, mbyllet i fundit, d.m.th. është i hapur gjatë gjithë negociatave. Megjithatë, ka kllasterë të tjerë që nuk janë më pak të vështirë dhe as më pak të rëndësishëm. Ne kemi harmonizim të mirë në disa kllastere, madje diku qëndrojmë më mirë se disa shtete të cilat janë në negociata prej dhjetë vitesh si Serbia dhe Mali i Zi, megjithatë ka një kllaster për tregun e brendshëm brenda të cilit ka 9 kapituj dhe është voluminoz. Kë të bëjë me lirinë e lëvizjes së njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve. Aty kemi shumë për të punuar sepse praktikisht duhet sistemi jonë të integrohet në tregun e brendshëm të BE-së. Po ashtu edhe kllasteri për mjedis jetësor ose agjendë të gjelbër, ku gjendet edhe bujqësia, transporti dhe mjedisi jetësor”, tha Bojan Mariçiq.

– Vendi e ka për detyrë që të përkthejë legjislacionin evropian dhe ky proces zgjat tashmë me vite. Deri më tani kemi pasur mungesë të përkthyesve. Do të më thoni si planifikoni ta zgjidhni këtë problem dhe a punohet në këtë drejtim?

“Ne për momentin kemi përkthyes të punësuar në Sekretariatin për çështje Evropiane të cilët punojnë për përkthimin ose korrigjimin e përkthimit kurse përkthimin e bëjnë kompani të cilat janë të angazhuara nga sekretariati. Vitin e kaluar mbi 17 mijë faqe janë përkthyer. Edhe këtë vit do ta mbajmë atë ritëm. Planifikojmë ta përforcojmë me më shumë njerëz sektorin për përkthim këtu në Sekretariat por gjithashtu bashkë me universitetet, fakultetet dhe firmat për përkthim të ndërtojmë një gjeneratë të re përkthyesish e cila do të duhet të punojë në institucionet evropiane, të merret me përkthim në bazë ditore sepse gjuha maqedonase do të bëhet njëra nga gjuhët zyrtare të BE-së dhe që e gjithë kjo të funksionojë duhet të ketë njerëz që do të punojnë me përkthimin edhe në institucionet evropiane por edhe që çdo ditë do t’i përkthejnë ato akte”, shtoi ai.

– Për të hapur kllasterët e negociatave, Bashkimi Evropian pret nga Maqedonia e Veriut që të hapë Kushtetutën dhe të përfshijë bullgarët në Kushtetutë. A ka ndonjë plan konkret qeveria se kur do t’i iniciojë këto ndryshime kushtetuese dhe sa ky proces mund të rrezikojë rënien e qeverisë apo një reformatim të mundshëm të qeverisë duke marrë parasysh pakënaqësinë e partnerëve më të vegjël të koalicionit?

“me 68 vota në Kuvend kishim mundësi të shohim se u miratua propozimi francez dhe kjo është bazë e mirë për bisedime të mëtejme. Sigurisht, i ndjekim edhe deklaratat e opozitës. Hymë në fazën kur paralelisht duhet ta bëjmë edhe skriningun por njëkohësisht të punojmë edhe në ndryshimet kushtetuese. Sipas qeverisë, përmbajtja e ndryshimeve kushtetuese nuk është problematike sepse bëhet fjalë për diçka që tashmë e kemi në Kushtetutë për më shumë komunitete dhe përfshirja edhe e disa komuniteteve, përfshirë edhe atij bullgar nuk është problem por e kundërta, duhet ta pasurojë Kushtetutën dhe mirëqenien tonë shoqërore. Ne planifikojmë në periudhën e ardhshme të punojmë intensivisht dhe mendoj se deri në përfundim të skriningut t’i përfundojmë ndryshimet kushtetuese, me një pyetje të thjeshtë drejtuar secilit deputet; “a jeni për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE ose jo”, sepse kjo është pyetje thelbësore”, u shpreh z. Mariçiq.

– A do ta vështirësonte një referendum i mundshëm procesin e rrugëtimit të vendit drejt BE-së?

“Referendumi është e drejtë demokratike të cilën ne e kemi shfrytëzuar më shumë herë. Nuk mendoj se vetë në vete si instrument politik është i gabuar. Përkundrazi, këtë e mundëson edhe Kushtetuta. Por mendoj se pyetje thelbësore, nëse do të kishte referendum do të ishte; a jeni “për” që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e BE-së ose jo. Mendoj se kësaj pyetje i është dhënë përgjigje më shumë herë, edhe nga qytetarët, edhe nga institucionet dhe në vend të referendumit duhet të drejtohemi kah përfundimi i detyrimeve tona, krijimi i një konsensusi rreth eurointegrimeve sepse ky proces e tejkalon mandatin e cilësdo qeverie”, shtoi Zv/kryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq./Alsat.mk