Më datë 16 gusht 2022 nga punonjësit e Policisë së Departamentit të Policisë Kriminale – Trafikimi i Paligjshëm i Drogës dhe Armëve – Njësia për Trafikim të Paligjshëm të Drogës, në koordinim me ekipet e Departamentit për Operacione Speciale të Policisë – Njësia Speciale Antiterroriste “Tigrat” dhe Sektori për Punë të Brendshme – Manastir, pesë personave ua kanë hequr lirinë, pasi është sekuestruar drogë me vlerë të përgjithshme rreth 800 mijë euro.
Gjegjësisht, pas marrjes së informacionit se marihuana po prodhohet nga një person juridik për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore në Manastir, pavarësisht vendimit të Qeverisë së Maqedonisë për heqjen e licencës për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore të botuar në “Fletoren Zyrtare” nr. 121, më datë 03.06.2021, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, për veprime në kundërshtim me Ligjin për Kontrollin e Barnave Narkotike dhe Substancave Psikotropike, të konstatuara gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm të kryer me datë 10.04.2021 nga Komisioni për vlerësimin e plotësimit të kushteve për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore në bashkëpunim me MPB-në, është dhënë urdhër bastisje nga Gjykata Themelore e Manastirit.
“Gjatë kontrollit të personit juridik, në njërën nga dhomat janë gjetur dy femra duke përpunuar dhe paketuar lule të thata kanabisi, ndërsa në dhomat e tjera të fabrikës është gjetur një sasi e madhe lulesh të thata kanabisi”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme Suzana Pranjiç Talevska.
Në koordinim me prokurorin publik nga Prokuroria Themelore Publike Manastir, droga e gjetur është paketuar në 67 thasë me peshë totale rreth 250 kilogramë.
Pesë personat janë ndaluar në komisariat dhe pas plotësimit të gjithë dokumentacionit do të bëhet kallëzim penal ndaj të gjithë personave të përfshirë në prodhimin e paligjshëm të lëndës narkotike marihuanë.