Këto ditë plazhet e Strugës janë “plotë e përplot”. Temperaturat e larta kanë mbushur plazhet e Strugë, e cila po përjeton kulmin e sezonit turistik. Gjatë fundjavës ka frekuentim më të madh, ndërsa turistët në Strugë këtë verë janë kryesisht mërgimtarë, por edhe miq të tyre nga vendet ku jetojnë.
“Kam tridhjetë vjet që jetoj në Itali. Vij këtu çdo verë. Vetëm se këtë vit Strugën e gjeta jo si dikur. Ka nevojë për pastrim. Duhet të jetë pak më pastër…”, deklaroi mërgimtar nga Struga në Itali.
“Vijmë nga Lubjana. Në Strugë qëndrojmë dy javë. Kemi 18 vjet që vijmë se kemi miq këtu. Duam të pushojmë pak, të ndryshojmë ambientin….edhe çmimet janë të përballueshme për ne”, tha një turist nga Sllovenia.
“Shkojmë në qendër të Ohrit për të shëtitur në mbrëmje sepse është më bukur në qendër. Ndërsa, këtu vijmë për ujin sepse është më i mirë. Notojmë, hipim në xhet-ski, uji është i mrekullueshëm. Gjetëm një hotel të bukur luksoz”, u shpreh një turist.
“E duam Strugën. Kemi një javë që jemi këtu. E duam vendin, lumin, liqenin. Ka plazhe të bukura, njerëz shumë të këndshëm, çmime të ulëta. Jemi këtu për herë të parë. Jam këtu me miqtë e mi. Kemi ardhur një grup kërcimtarësh nga Izraeli. E duam Maqedoninë”, theksoi një tursit nga Izraeli.
Punëtorët turistikë dhe pronarët e bizneseve të vogla thonë se Strugën këtë verë po e vizitojnë më shumë turistë të huaj. Nëse nuk janë mërgimtarët, atëherë thonë – nuk ka nga çfarë të jetohet në verë.
Struga, ndryshe nga Ohri, ku çmimet gastronomike janë shumë më të larta se sezonin e kaluar, mund të mburret me çmime më të ulëta në restorante dhe kafenetë lokale. Me ardhjen e mërgimtarëve, është i lartë edhe numri i dasmave gjatë gjithë periudhës së verës./Alsat.mk