Nga sot hyn në fuqi plani i emergjencës së Bashkimit Evropian që i paraprinë ndërprerjes së mundshme të furnizimeve me gaz nga Rusia.
Në bazë të planit, vendet anëtare të BE-së, përveç Hungarisë, angazhohen vullnetarisht që nga 1 gushti 2022 deri më 31 mars 2022 të reduktojë me 15 për qind të konsumit të gazit, krahasuar me konsumim mesatar gjatë së njëjtës periudhë në pesë vitet e fundit.
Sipas përllogaritjeve, përmes këtij plani pritet të kursehen 45 miliardë metër kub gaz. Vetëm Gjermanisë do t’i duhet konsumojë rreth 10 miliardë metër kub gaz më pak.
Synimi i planit është përgatitja për mundësinë e një ndërprerjeje të plotë të furnizimeve me gazin rus për vendet anëtare të BE-së, pasi Moska ka pakësuar ndjeshëm furnizimet e bllokut me gazin e saj gjatë muajve të fundit.
Masat vijnë në momentin kur zyrtarët evropian shqetësohen se kompania shtetërore ruse Gazprom, mund të refuzojë të rifillojë furnizimet përmes gazsjellësit “Nord Stream I”. Tubacioni është një arterie jetike që lidh rezervat e mëdha të gazit të Rusisë me kontinentin nëpërmjet Gjermanisë.
Në një deklaratë për planin, KE-ja pati thënë se do të ketë masa për të ndihmuar vendet anëtare të BE-së të përmbushin reduktimet e nevojshme, duke përfshirë një “përqendrim në zëvendësimin e gazit me lëndë djegëse të tjera dhe kursimin e përgjithshëm të energjisë në të gjithë sektorët”.
Të paktën 15 vende anëtare të BE-së, që përfaqësojnë më shumë se 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të bllokut do të duhet të japin miratimin e tyre për aktivizimin e alarmit për uljen e detyrueshme të konsumit të gazit.