“Misioni i krijesës më të mrekullueshme të Zotit, njeriut, është shpërndaja e dashurisë mes njerëzve dhe respektimi i diveristetit kombëtar dhe fetar.
Një nga modelet më të shkëlqyera të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare është kjo që kemi ne shqiptarët. Për këtë na ka zili edhe bota. Një zhvillim i këtillë, i palëkundshëm, i kësaj atmosfere, është forcuar ndër breza. Me këto vlera të çmuara identifikuese të shoqërisë dhe familjes sonë duhet të ndihemi krenarë karshi popujve të civilizuar të botës.
Bashkëjetesa ndërfetare, lirshëm mund të them, përçon një mesazh që është në dobi dhe në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror, në dobi të vlerave morale të shqiptarëve dhe jo vetëm. Shqiptarët sot, krahas kulturës me vlerë glorifikuese, si besa dhe mikpritja, një element tjetër të fort dallues, ndër popujt e botës, kanë tolerancën ose më saktë mirëkuptimin ndërfetar. Ky fakt përbën një nga profilet më të spikatura të modelimit kulturor, evident jo vetëm në të kaluarën por edhe në ditët tona.
Si popull multifetar, me një bashkëjetesë tradicionale, jo vetëm në shtetin amë (në Shqipëri) por edhe në trojet të tjera etnike dhe multietnike, lirisht mund të them se ne pasqyrojmë një shembull të veçantë të harmonisë ndërfetare në historinë e popujve të Ballkanit dhe më gjerë.
Edhe sot shqiptarët e kultivojnë bashkëjetesën ndërfetare dhe ndëretnike, pa përçarje dhe diskriminim. Edhe shembulli juaj, i integrimit të shkëlqyeshëm këtu në qytetin e Parmës në Itali, tregon dhe vëreton se ne jemi një popull dashamirës dhe paqedashës.
Të bashkuar jemi më të fuqishëm. I madhi i kombit, hoxhë Mulla Idriz Gjilani thotë se “I kemi tri fe, por të përbashkët, kemi vetëm një atdhe”.
Do t’i tjekalojmë të gjitha vështirësitë por vetëm duke qëndruar njëri pranë tjetrit, Jemi popull i vogël për të qenë i ndarë. Largësia juaj nga atdheu nuk paraqet pengesë për ta shfaqur dashurinë ndaj tij, për ta shfaqur dashurinë ndaj njerëzve të një gjaku.
Dhëntë Zoti i Gjithëmadhërishëm, që zemrat e thyera nga gjëma dhe pasojat që përjetuam nga tërmeti i 26 nëntorit, ku u godit perla e Shqipërisë, t’i kalojmë nëpërmejt veprimeve të përbashkëta, me një solidarizim të këtillë siç kemi bërë dhe po bëjma akoma.”
e shtunë, 7 dhjetor 2019