Mali i Zi rikthen maskat

Gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi një person ka humbur jetën ndërsa janë regjistruar 1,022 raste të reja me COVID-19.

Aktualisht Mali i Zi ka 6,516 raste aktive, 300 prej të cilëve në qytetin e Ulqinit.

Nga fillimi i pandemisë, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infektimit me COVID-19 në Mal të Zi është 257,546.

Nga e premtja në Mal të Zi kanë hyrë në fuqi masat e reja epidemiologjike, sipas të cilave qytetarët obligohen të mbajnë maska në të gjitha institucionet publike, farmacitë, dyqanet, pikat e karburantit, aeroportet dhe stacionet e autobusëve, njoftuan autoritetet shëndetësore të Malit të Zi.

Nëse këto masa nuk ndikojnë në përmirësimin e situatës epidemiologjike në periudhën e ardhshme dhe numri i rasteve të vdekjes, infeksioneve dhe shtrimeve në spitale rritet, kryetari i Institutit të Shëndetit Publik Igor Galiq paralajmëroi se do të pasojë detyrimi për mbajtjen e maskave në të gjitha hapësirat e mbyllura.

“Për të parandaluar që kjo të ndodhë, me besimin se qytetarët do të respektojnë masat ekzistuese dhe masat e reja kundër pandemisë, është e nevojshme që ata persona të cilët nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 ta bëjnë këtë sa më shpejt, ndërsa të tjerët të marri dozat përforcuese”, tha zoti Galiq.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë, Elvis Omeragiq, tha se varianti i ri i virusit SARS COV-19 është dukshëm më ngjitës dhe në krahasim me variantet e mëparshme, por është gjithashtu më pak i rrezikshëm.

“Shumica e të infektuarve rishtazi janë pa simptoma dhe ata që kanë simptoma përgjithësisht mund të trajtohen në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor. Mund të thuhet se kjo gjendje do të thotë se virusi po përshtatet, duke u bërë përafërsisht si gripi sezonal, se do të jetë i pranishëm në një formë më të vogël ose më të madhe, por me një pasqyrë klinike që do të jetë më e lehtë në krahasim me variantet e mëparshme ose me një pasqyrë klinike që nuk kërkon trajtime më të forta mjekësore. Rekomandimet për masat kundër epidemisë duhet të vazhdojnë të jenë mjeti ynë bazë në luftën kundër virusit”, tha zotiOmeragiq.

Masat do të jenë në fuqi deri më 12 gusht./VOA/