Europa në alarm për gazin rus, Moska ul furnizimin me 20%

Rusia ka paralajmëruar se do të ulë me 20 për qind sasinë e gazit drejt Europës, e kjo ka sjellë alarm dhe debate mes vendeve te unionit.

Gjigandi i energjisë, “Gazprom”, njoftoi se i duhet të ndalë furnizimet gati përgjysmë, në mënyrë që të kryejë punimet e rikonstruksionit në tubacionet e “Nord Stream 1”.

Por qeveria gjermane mendon se nuk ka arsye teknike për të kufizuar furnizimet me gaz.

Gjatë këtij muaji, gazsjellësi më i madhi i Rusisë në Evropë është mbyllur edhe më herët për një periudhë 10-ditore, duke nxitur shqetësime në Evropë se ai mund të mos i rikthehet më punës.

Bashkimi Evropian, ka siguruar 40 përqind të gazit nga Rusia vitin e kaluar, ndërsa këtë radhë e ka akuzuar Moskën se po e përdor energjinë si armë.

Ndërkohë, lajmi për një tjetër zvogëlim të sasisë së gazit po rrit presionin mes vetë shteteve anëtare të BE-së, që të ulin varësinë e tyre nga gazi rus.

Frika më e madhe lidhet me sigurimin e furnizimit të duhur për muajt e dimrit. Për ti paraprirë një skenari të keq, pak ditë më parë Komisioni Europian propozoi kursime me 15 për qind të konsumit të gazit për disa muaj.

Ndërkohë këtë të martë në Bruksel ministrat e energjisë diskutojnë për planin emergjent të gazit, ku pritet të arrihet në një përfundim dhe në një mesazh për Rusinë.

Nga ana tjetër, edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, deklaroi se reduktimi i gazit rus që nis të mërkurën, është vetëm një shantazh kundër Evropës.