LAJMI I FUNDIT/ BE: Javën e ardhshme hapen negociatat me Shkupin dhe Tiranën

Liderët e Bashkimit Evropian kanë përshëndetur votimin e Kuvendit maqedonas në favor të propozimit francez, duke paralajmëruar se në javën e ardhshme do të zhvillohen konferencat e para ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke hapur formalisht negociatat e anëtarësimit.

“Urime Maqedonisë së Veriut për votimin i cili tash shtron rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një rast historik dhe ju e shfrytëzuat atë. Një hap i madh drejt të ardhmes suaj, të ardhmes evropiane”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ngjashëm ka reaguar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“E ardhmja jonë është e përbashkët dhe ne ju mirëpresim me duar të hapura”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke shtuar se votimi i 16 korrikut ishte një hap i madh i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Pritet që në të njëjtën kohë negociatat e anëtarësimit të nisin edhe për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mirëpritur vendimin e Shkupit dhe po ashtu ka paralajmëruar se javën e ardhshme Shqipëria do të nisë negociatat e anëtarësimit.

Më 16 korrik, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, që i hap rrugën integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, për më shumë se dy vjet kishte mbajtur në fuqi veton ndaj nisjes së negociatave të Shkupit me Brukselin, për shkak të mosmarrëveshjeve sa i përket gjuhës dhe historisë. /REL