Çfarë do ndodhë në gjysmën e dytë të korrikut? Paralajmërojnë meterologët: Anticikloni i fuqishëm…

Anticikloni i fuqishëm me qendër mbi Britaninë e Madhe pritet të shtrihet gradualisht drejt Holandes, Gjermanisë dhe Gadishullin Ballkanik, por nga periferia e këtij sistemi do të vazhdojnë të depërtojnë masa të freskëta ajrore të cilat nuk do të lejojnë ndonjë nxehtësi të madhe të menjëhershme.

Këto masa ajrore anticiklonike pritet të largojnë përfundimisht vranësirat e shiut nga rajoni ynë duke kushtëzuar intervale të gjata kohore me diell, megjithatë priten vranësira të herëpashershme, por pa reshje atmosferike.

Pra, nga sot (e diele) na pret mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të herëpashershme. Do të vazhdojnë erërat e freskëta nga veriu, verlindja dhe veriperëndimi. Temperaturat ditore do të fillojnë të rikoperohen gradualisht.

Fillimi i javes së re pritet të jetë relativisht i freskët me rritje të ngadalshme të temperaturave, por nga mesi i javës priten rritje të kënaqshme të temperaturave. Nga fundi i javës priten rritje të mëtutjeshme të temperaturave dhe pritet valë e re e nxehtësisë verore me temperatura deri apo edhe mbi 35 gradë Celsius.

Në bregdet që nga nesër pritet mot kryesisht stabil dhe i nxehtë, me rritje pak më të shpejta të temperaturave ditore.