Forcat ruse po godasin qytetin e Lisiçansk

Forcat ruse po godasin qytetin e Lisiçansk dhe rrethinat e tij në një përpjekje gjithëpërfshirëse për të kapur bastionin e fundit të rezistencës në provincën Luhansk të Ukrainës lindore, tha guvernatori i kësaj province, Serhiy Haidai.

Luftëtarët ukrainas kanë kaluar javë të tëra duke u përpjekur për të mbrojtur qytetin dhe për ta mbajtur atë që të mos bjerë në duart e Rusisë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj morën kontrollin e një rafinerie nafte në buzë të Lisiçansk ditët e fundit, por guvernatori Haidai raportoi të premten se luftimet për objektin vazhdonin.

Luhansk dhe Donjeck janë dy provincat që përbëjnë rajonin e Donbasit, ku Rusia ka përqendruar ofensivën e saj që nga tërheqja nga veriu i Ukrainës dhe kryeqyteti, Kiev, në pranverë.

Ndërkaq Ukraina ka akuzuar ushtrinë ruse për hedhjen e bombave me fosfor në Ishullin e Gjarpërinjve, menjëherë pasi u tërhoq nga baza strategjike e rëndësishme e Detit të Zi.

Por Moska e cilësoi largimin e tyre nga ishulli i gjarpërinjve si një “gjest vullneti të mirë” për të ndihmuar në zhbllokimin e eksporteve të grurit.

Nga ana tjetër Bashkimi Evropian propozoi 1 miliard euro si ndihmë urgjente për Ukrainën për të mbështetur nevojat me para të vendit të shkatërruar nga lufta. Edhe SHBA planifikon të dërgojë në Ukrainë armë dhe municione shtesë, në vlerë prej 820 milionë dollarësh.