Përsëri tensione dhe dhunë në Kuvend. Në Komisonin për Çështje Evropiane ku në rend dite ishte ligji për marrëdhënie pune, gjegjësisht zgjatja e moshës së pensionimit të gjykatësve dhe prokurorëve nga 64 në 67 vjet, përplasja mes kreut të komisionit Arbër Ademi dhe opozitës u përshkallëzua në momentin kur deputetët e opozitës kërkonin fjalën dhe Ademi, në kundërshtim me Rregulloren, pretendonte se këtë të drejtë e kanë vetëm koordinatorët e grupeve parlamentare.
Opozita mohonte vazhdimin e seancës pa i marrë materialet e plota për propozimin.
“Ademi: Z.Micevski, ju kaloi koha e fjalimit, 7 minuta më shumë se sa duhet. Ju lutem ta respekojmë Rregulloren.
Micevsi: Nuk është e kufizuar koha për procedurale.
Ademi: Neni 87.
Micevski: Ku ka aty për trupat punues?
Ademi: A ka dikush propozim për plotësimn e rendit të ditës? Nëse nuk ka propozim, atëherë rendin e ditës e vendos në votim. Kush është për?”
Ademi shihet duke gjuajtur me filxhan, shishe plastike dhe gjësende të tjera ndaj kolegëve të tij nga opozita si dhe duke shkatërruar pajisjet teknike.
Opozita e akuzoi atë për ushtrim dhune ndaj kolegëve deutetë kurse pushtetin për shtyrje të dhunshme të ligjit.
“Nuk më pëlqen kjo që them, por është paraqitja dhe imazhi, sidomos i kryetarit të Komisionit, Arbër Ademi. Ai jashtë Rreullores, në mënyrë të dhunshme, duke mos lejuar deputetët të bëjnë ndryshime dhe plotësime në rendin e ditës, e shtyu të gjithë Komisionin në një atmosferë të tensionuar. Në momentin që ne kërkuam të drejtën tonë dhe donim të diskutonim konkluzionet e Këshillit Evropian nga Brukseli, ai filloi të sillej dhunshëm, të hidhte sende të forta, të shprehte vulgaritete ndaj kolegëve”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
“Sot përfundimisht u vërtetua në vepër se pika e dobët e pushtetit të kriminalizuar ka qenë dhe është pushteti gjyqësor. Krimi, korrupsioni, rrugaçëria dhe skenaret e tyre u manifestuan me vandalizëm dhe akte dhune ku me ose pa hiri u godit edhe deputeti i Aleancës për Shqptarët Elmi Aziri. I gjithë ky skenarë I turpshëm filloi me tentimin për t’u zgjatur mandatin gjykatësve dhe prokurorëve partiak të pushtetit përmes kontrabandimit të ligjit”, deklaroi Ilire Dauti, Aleanca për Shqiptarët .
Për BDI-në, ishin VMRO-DPMNE-ja dhe Aleanca për Shqiptarët ato që provokuan dhe ushtruan dhunë në seancë.
“Gjithmonë kur temë e diskutimit dhe në rend dite në Kuvend është vendosja e drejtësisë në vend, VMRO DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët provokojnë dhunë verbale dhe fizike me qëllim që të mbrojnë krimin dhe gjithnjë shfaqen kundër funksionimit të mirëfilltë të sistemit gjyqësor. Sot në seancën e Komisionit për Çështje Europiane edhe njëherë u dëshmua se VMRO DPMNE dhe partitë tjera opozitare ushtruan dhunë për të bllokuar punimet e Komisionit dhe pikërisht deputetët të cilët janë nën hetime, nxitën incident dhe ndaluan seancën”, deklaruan nga BDI-ja.
Të njëjtën qëndrim ndan edhe LSDM-ja.
“Gjithmonë kur temë e rendit të ditës në Kuvend është drejtësia, VMRO-DPMNE-ja është në ankth, destrktive, bën tensione, madje edhe u mundua të provokojë përplasje fizike. Kjo është kështu sepse VMRO-DPMNE-ja fuqishëm i mbron kriminelat e regjimit dhe gjithmonë por gjithmonë është kundër një sistemi funksional gjyqësor. Antonio Milloshoski për të cilin ka disa lëndë është iniciatori kryesor i tensioneve në Kuvend, mbase sepse është personalisht i përfshirë”, thanë nga LSDM-ja.
Së fundmi, incidentet e këtilla dhe përplasjet në Kuvend janë bërë të zakonshme./Alsat.mk