Mbetëm te shekulli XIX-ë
Nga Xhemi Hajredini
Strugë, tetor 2019
Jemi shoqëri e lirë dhe gjithsecilit i janë hapur dyert e shkollimit dhe edukimit. Sot takova një djalë të ri që sapo kish mbaruar studimet pasuniversitare. Më përshëndeti ai i pari, me plot entuziazëm.
- Përshëndetje, koleg!
Uau, koleg?! Kur u bëmë kolegë ne bashkë – murmurita me vete.
- Nuk më njihni, profesor?
- Edhe harrojmë, se mbamendja ka filluar të na zvetënohet.
- Jam ish studenti juaj. Si keni qenë me shëndet?
- Mirë, faleminderit! Po që kur ne kolegë?
- I kam kryer studimet pasuniversitare, profesor, dhe tani pres të punësohem në Universitet. Jam i fushës suaj. Diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare i kam studiuar. Pra jemi kolegë.
Për një çast e humba toruan dhe sërish duke pëshpëritur me vete thashë: “Sa shpejt i kryejnë studimet këta të rinjtë sot!” Edhe pse pak i shushatur, u përqëndrova dhe vazhdova diskutimin me ish studentin tim.
- Urime! Më bëhet qejfi. Shumë shpejt po ik koha. Ne po plakemi e ju po edukoheni dhe kualifikoheni. Shumë mirë!
- Kanë ndryshuar kohrat, profesor. Sot ne nuk lodhemi sikur ju dikur.
- Si i bie kjo se nuk po të kuptoj?!
- Me rrugë të tërthorta, bre profesor. Rrugëzgjidhjet janë të shumta sot.
- Kam qenë student me korrespondecë, prandaj nuk më mbani mend mirë. Sapo mbarova fakultetin, regjistrova studimet pasuniversitare dhe ja sot jam magjistër. Sa të filloj me punë në Universitet do t’i përvishem doktoraturës.
- Të lumtë! Paske punuar goxha. Edhe ke punuar edhe ke studiuar edhe do të studiosh akoma. Entuziazëm i fuqishëm ky. Pa më thuaj se ç’tezë mbrojte në fund të studimeve master?
- Zhvillimet politike dhe diplomatike në shekullin xixë dhe 2x.
- Urdhëroo?!
- Po, profesor, X I X dhe X X. Në shekullin xixë dhe 2x kishe ngjarje të bujshme. Filluan të zhvillohen edhe mediat për të cilat ju keni studiuar.
Ky po që paska mësuar – murmurita sërish me vete.
- Ditën e mirë, djalosh! Vazhdo të mësosh se kemi hyrë në shekullin XëXëI. Ai shekulli xixë (XIX) ka ikur që moti.
(Këtë shkrim, dje 17 nëntor 2019, e ka botuar Gazeta e Alpeve – Tiranë)