Sofje, shkarkohet kryetari i parlamentit

“E bukura është që sipari u ngrit dhe ne nuk kemi frikë nga zgjedhjet, sepse njerëzit e shohin këtë dhe mund ta bëjnë vlerësimin”, tha KIRIL PETKOV, KRYEMINISTËR I BULLGARISË.

Detaje se ku ndodhet për momentin propozimi francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Shkupit dhe Sofjes dhe çfarë përmban nuk ka. Vetëm kryetari i partisë Bullgaria Demokratike, që është në koalicion me Petkovin shpalosi përmbajtjen e mundshme.

“Bullgaria është në rrugën për ta lëshuar mundësinë për një pakt të mirë, të cilin e bëri kryesimi francez. Pjesa më e rëndësishme e kësaj marrëveshje është se Komisioni Evropian do të angazhohet që të ndjekë nëse Maqedonia e Veriut, do t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë. Nëse kjo nuk ndodh nuk do të ketë negociata në kapitullin e parë”, deklaroi HRISTO IVANOV, kryetar i partisë Bullgaria Demokratike.

Sipas një pjesë të deputetëve opozitar, edhe pse Petkov e humbi shumicën në Kuvend, ai megjithatë mund ta fitojë mbështetjen e 122 deputetëve për propozimin për heqjen e vetos. Ndërkohë autoritetet në Maqedoni thonë se nuk e kanë parë propozimin francez.

“Ne këtu në Shkup nuk kemi parë propozim francez. Ne bisedojmë me kolegët tanë bullgarë. Nëse ka ose jo propozim francez, kjo është çështje e brendshme e BE-së”, u shpreh STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT.

“Së pari, ne duhet të shohim një propozim, që të jetë i dakorduar nga të gjitha vendet anëtare. Sapo të marrim një sinjal nga presidenca franceze se ka një qëndrim të harmonizuar, nga të gjitha shtetet anëtare, atëherë do të shprehim qëndrimet tona”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Sipas Osmanit situata e brendshme politike në Bullgari nuk është premtuese për tërheqjen e vetos në qershor. Ndërkohë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit bullgar, kryeparlamentar i ri do të jetë Mirosllav Ivanov gjithashtu nga partia e Petkovit, i cili do duhet ta vendosë në rend dite edhe votimin për mosbesimin e qeverisë, më së voni javën e ardhshme.

Deri atëherë, përkatësisht më së voni deri të martën kur dhe do të mblidhet Këshilli i çështjeve të Përgjithshme i BE-së, Bullgaria duhet të deklarohet nëse e pranon propozimin francez për zgjidhje e kontestit. Samiti evropian do të mbahet në 23 dhe 24 qershor në Bruksël.