Sipas konceptit të njejtë sikurse vitin e kaluar, sot filloi provimi i maturës shtetërore për vitin shkollor 2021-2022. Pothuajse 16 mijë nxënës i nënshtrohen lëndës së parë nga dy lëndët e parapara eksterne – Gjuhë amtare, pasi paraprakisht i janë nënshtruar dy lëndëve interne dhe përgatitjes së një detyrë projektuese. Zgjerim ka vetëm në listën e lëndëve interne për nxënësit e arsimit të mesëm profesional për shkak të futjes së drejtimeve të reja arsimore këtë vit. Fillimin e procesit e shënuan ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve Elizabeta Naumovska të cilët vizituan shkollën e mesme “Pançe Karagjozov” dhe ju uruan suksese të gjithë maturantëve.
“Sot filloi provimi i maturës shtetërore si akt i formalizimit dhe përfundimit të arsimit të mesëm. Të gjithë nxënësve ju uroj suksese dhe rezultate të shkëlqyera që do të jenë konfirmim i njohurive të fituara gjatë arsimit të mesëm katërvjeçar ku do t’i aplikojnë në një vend përkatës të punës nëse përcaktohen që menjeherë pas përfundimit të shkollës së mesme të kyçen në tregun e punës ose do të jetë një bazë e mirë për avancimin e mëtutjeshëm akademik”, theksoi ministri Shaqiri.
Ai shprehu pritshmëritë që provimi të kalojë në mënyrën sa më të mirë, pasi siç theksoi, procesi është i njohur për të gjithë, duke qenë se provimi i maturës shtetërore zhvillohet që nga viti 2007 dhe gjithmonë dhe në çdo vit shkollor aktivitetet përgatitore fillojnë në kohë ndërsa nxënësit janë njoftuar me materien që do të jetë pjesë e provimit.
“Këtë vit, siç e dijmë të gjithë, kemi pasur një periudhë në të cilën mësimi nuk është realizuar, ka qenë në muajin prill gjithsej 12 ditë mësimore, kështu që nuk do të parashtrohen pyetje nga materiali që duheshte të mësohet gjatë asaj periudhe, gjë që eliminon rrezikun se një nxënës do të mund të dëmtohej”, u shpreh ministri.
Shaqiri informoi se Qendra Shtetërore e Provimeve, e cila është përgjegjëse për implementimin e maturës shtetërore, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës përmes një debati publik do të krijojnë koncept të ri për maturën shtetërore i cili duhet të parashikojë tri lloje të diplomimit shtetëror, varësisht nga lloji i arsimit – gjimnaz, shkollë e mesme, profesionale dhe artistike. Ky proces do të jetë transparent dhe me pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara, kryesisht nxënësve, udhëheqësisë dhe mësimdhënësve të shkollave të mesme, ekspertëve dhe përfaqësuesve të fushës akademike.
Suksese maturantëve ju dëshiroi edhe drejtoresha e Qendrës Shtetërore e Provimeve, Elizabeta Naumovska.
Ajo njoftoi se provimin e maturës shtetërore këtë vit shkollor e kanë paraqitur gjithsej 15899 maturantë. Prej tyre 7135 nxënës nga arsimi i mesëm – gjimnaz , 8504 nga arsimi i mesëm profesional dhe 260 nga arsimi i mesëm Artistik . Provimit Gjuhë dhe letërsi maqedonase do t’i nënshtrohen 11071 kandidatë, Gjuhë dhe letërsi shqipe 4306 kandidatë dhe Gjuhë dhe letërsi turke 313 kandidatë.
Ajo gjithashtu informoi se provimi i radhës është më 13 qershor, ku maturantët do t’i nënshtrohen provimit në Gjuhën angleze, Gjuhë gjermane, Gjuhë frënge dhe Gjuhë ruse, Matematikë, Estetikë dhe Filozofi. Provimin nga Gjuha angleze e kanë paraqitur 14328 maturantë, 118 Gjuhën gjermane, 31 Gjuhën frënge, 10 Gjuhën ruse, 1235 lëndën e Matematikës , 15 në Filozofi dhe 100 në Estetikë .
Rezultatet do të shpallen më së voni 30 ditë pas provimit të fundit ekstern, gjegjësisht deri më 12 korrik.
Në procesin e realizimit të maturës në shkolla janë angazhuar rreth 2000 mësimdhënës si testator dhe 300 vëzhgues.