Ndërsa Komisioni Rregullator i Energjetikës është duke e bërë gati çmimin e ri të energjisë elektrike për amvisëritë, qytetarët janë në pritje të tarifave të paralajmëruara, nga të cilat do të varet edhe shuma e faturave të rrymës.
Sipas të dhënave të KRRE-së, por edhe përllogaritjeve të kolegëve nga emisioni 360 Gradë, vërehet se amvisëritë që kanë fatura të energjisë mbi 10 mijë denarë me shumë gjasë mund të rriten për 50%.
Nëse Rregullatori vendos të ketë tre blloqe konsumatorësh dhe ata do të lëvizin nga 250 deri në mbi 500 kilovat orë energji elektrike të shpenzuara, tarifa do të sillet diçka mbi 7 denarë për kilovat orë në dy blloqet e para, por dy herë më shumë ose mbi 15 denarë për kilovat orë për amvisëritë që shpenzojnë më shumë.
Kjo do të thotë se çmimi i energjisë elektrike do mbetet i njëjtë për ata që harxhojnë deri në 500 kilovat orë, ndërsa do të jetë më e lartë për ata që harxhojnë më shumë.
Sipas mënyrës së tanishme të tarifimit, një familje e cila gjatë muajve të dimrit ka paguar 10.446 denarë për 1071 kilovat të harxhuara në tarifën e lartë dhe 525 kilovat orë në tarifën e lirë, sipas tarifores së re: për tarifën e lirë do paguante me të vjetrën, për tarifën e shtrenjtë, për harxhim deri në 250 kilovat do paguajë rreth 1737 denarë, për 250 kilovatët e tjerë deri në 500 kilovat do paguajë 1830 denarë, ndërsa për 570 kilovatët tjerë 8565 denarë. Fatura që këtë vit ka qenë 10.446 denarë me modelin e ri tarifor do të jetë 14 947 denarë.
Rregullatori siguron se qytetarët që i kanë ndërruar sobat me dru dhe kanë blerë kondicionerë, inverter apo pajisje të ngjashme nuk do të hyjnë në bllokun e fundit tarifor i cili do të ketë fatura më të larta, por do të kenë modele tarifore të veçanta.
Tashmë mbetet KRRE-ja t’i shqyrtojë shpenzimet e kompanive energjetike dhe ta publikojë sa prej tyre do t’i pranojë. Ndërkohë kompania shtetërore MEPSO kërkoi nga KRRE-ja rritje të të ardhurave për 68%. Pjesëmarrja e tarifës së përçimit nuk ka ndikim të madh në çmimin përfundimtarë të rrymës për konsumatorët dhe kjo është rreth 4%. / Alsat.mk