Sofja në qershor të japë pëlqimin për fillimin e negociatave me Shkupin, pret eurokomisioneri Varheji

Në afat prej tre javësh Sofja të pajtohet për fillimin e procesit të negociatave me Shkupin – kjo është pritshmëria e komisionerit të BE-së për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë Oliver Varheji pas takimit me liderët bullgarë – presidentin Rumen Radev, kryeministrin Kiril Petkov dhe ministren e jashtme bullgare Teodora Gençovska, transmeton Portalb.mk.

Pas vizitës në Bullgari, eurokomisioneri i BE-së Varhei në Twitter shkroi se pas tri javësh, përsëri do të kthehet në Sofje për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut në qershor.

“Për tre javë do të kthehem në Sofje për të gjetur gjuhë të përbashkët dhe mbështetje nga Bullgaria për të filluar procesin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut në qershor”, shkroi në Twitter komisioneri i BE-së Oliver Varhei pas takimit me kryeministrin bullgar Petkov.

Pas takimit me presidentin bullgar Rumen Radev, eurokomisioneri Varhei në Twitter shkroi se rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor nuk ka çmim, ndërsa në këtë kontribut të rëndësishëm do të ketë mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“E vlerësoj dialogun e hapur me presidentin bullgar Rumen Radev. Rëndësia e të pasurit një Ballkan Perëndimor stabil dhe me prosperitet nuk ka çmim. Në këtë kontekst, një kontribut domethënës do të ishte mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Duhet të punojmë për këtë së bashku”, tha Varhey në një postim në Twitter pas takimit me presidentin bullgar Rumen Radev.

Pas takimit me shefen e diplomacisë bullgare Teodora Gençovska, komisioneri i BE-së Varhei shkroi se po punohet për zgjidhje të pranueshme reciprokisht për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare në qershor.

“Takim intensiv me ministren Teodora Gençovska në Sofje. Ne folëm për pasojat e drejtpërdrejta të luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Punojmë për zgjidhje të pranueshme reciprokisht në mënyrë që të mund të fillojmë negociatat me Maqedoninë Veriut dhe Shqipërinë me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare në qershor”, shkroi komisioneri i BE Varhei në Twitter pas takimit me Ministren e Jashtme bullgare Gençovska.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.