Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme para studentëve të disa universiteteve të vendit, prezantoi programin për Dialogun e ardhshëm Strategjik me Shtetet e Bashkuara, i cili do të mbahet më 2 qershor në Uashington.
Gjatë prezantimit të dialogut, siç informojnë nga MPJ, Osmani theksoi se ky është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili në afat të mesëm dhe afatgjatë do të sjellë përfitime të rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë dhe për vendin.
“Dialogu strategjik është një forcim i marrëdhënieve tradicionalisht miqësore dhe një konfirmim i aleancës së fortë mes dy vendeve. Maqedonia e Veriut është vendi i parë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që ka filluar këtë proces, tha ministri Osmani, duke shtuar se me këtë dialog, bashkëpunimi dypalësh merr një dimension tjetër, me synime dhe rezultate specifike.
Osmani theksoi se në fokus të agjendës së dialogut do të jetë bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe programet e shkëmbimit të studentëve.
“Kjo do të hapë mundësi të reja për intensifikimin e marrëdhënieve mes të rinjve nga të dy vendet, duke nxitur shkëmbimin kulturor dhe arsimor. Ofrohen bursa për disa programe akademike, profesionale dhe kulturore, të dedikuara për studentë, profesionistë dhe liderë të ardhshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ambasadës Amerikane, si dhe diplomatë të shumtë nga Ministria e Punëve të Jashtme, ku studentët patën mundësinë për një diskutim interaktiv, përmes të cilit mund të mësonin më shumë për temat e tyre të interesit.