Nga libri ,,NËN HIJEN E ÇINARIT ,,
Si “e takova” Princin tim në urën e Shkupit
Andrea (Pal) Gropa (1371 – 1379), princi arbëror – sundimtar i Ohrit
Me princin arbëror “u takova” në Shkup. Do t’ju duket e çuditshme, por për ta sqaruar këtë më duhet të bëj një kërcim në kohë për të shpjeguar takimin tim me princin arbëror në Shkup, atë princ të cilin dikur ma kishte përmendur xha Jani kur isha fëmijë. Pra, bëhet fjalë për një ngjarje tejet të ndjeshme dhe kontraverse gjatë vitit 2013 kur, në kuadër të rikonceptimit të identitetit të popullit maqedonas, e gjithë energjia intelektuale dhe materiale (me ndonjë përjashtim) u vu në shërbim të argumentimit të tezës për “identitetin antik të popullit maqedonas” duke e lidhur atë me Aleksandrin e Madh. Për këtë u konceptua plani urbanistik “estetik” i quajtur “Shkupi 2014” kur u bënë shumë ndërhyrje me ndërtesa të stilit barok dhe përmendore të personaliteteve të ndryshme që ishin në funksion të vërtetimit të tezës së caktuar nga politika e kohës. Pa dashur ta bëj temë trajtimi të gjithë dimensionet e saj, po ndalem vetëm te momenti që u bë shkak të më “takojë” mua, pas aq vitesh, me princin arbëror – sundimtar të Ohrit.
Realizimi i konceptit të “Shkupit 2014”, përveç që polarizoi shoqërinë mbi vija etnike, përçau edhe opinionin maqedonas që rezultoi me një polarizim politik dhe ndëretnik tejet shqetësues. Në këtë kontekst, mes të tjerash, në kuadër të “Shkupit 2014” ishte realizuar edhe një urë për këmbësorë mbi lumin Vardar me emrin “Ura e qytetërimeve” ku në të dy anët e urës ishin vënë skulpturat e personaliteteve të ndryshme që nga kohët më të vjetra që kishin pasur (sipas interpretimit tim të lirë) njëfarë ndikimi në hapësirën e Maqedonisë së Veriut së sotme. Ata kryesisht ishin princa, sundimtarë, ushtarakë të famshëm të kohëve të ndryshme, por, aty këtu, edhe ndonjë veprimtar arti e kulture në përgjithësi. Ndër ta ishte edhe car Dushani, sundimtar i njohur serb mesjetar i pjesës më të madhe të Gadishullit Ballkanik. Një grup i të rinjve shiptarë, të ndjeshëm ndaj asaj që paraqet simbolikë serbe, të frymëzuar nga historia më e gjatë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe sidomos nga ajo më e reja lidhur me Kosovën, por edhe nga raportet ndëretnike të tensionuara që dominonin në vend, vendosën që të shfryjnë mllefin duke e goditur përmendoren e car Dushanit për ta shkulur nga ai vend.
Një ditë, kureshtar për të parë se çfarë ka ndodhur, shkova deri te ura dhe fillova t’i shoh monumentet e personaliteteve të vendosura, kur i befasuar, e pashë edhe një skulpturë në bazamentin e së cilës shkruante Jan Kukuzeli, dhe në anën tjetër një tjetër me emrin Andrea Gropa.
Për të parin kisha lexuar se kishte qenë një nga muzikologët dhe muzikantët e famshëm të kohës së Bizantit nga Durrësi, emrin e të cilit e mbanin shumë shkolla dhe institucione kulturore të artit muzikor në Shqipëri dhe Kosovë. Jan Kukuzeli ose Durrësaku, siç njihej, pra kishte gjak arbëror dhe si i tillë nderohej nga kujtesa jonë historike, kurse emrin e Andrea Gropës e kisha lexuar në shkollë të mesme kur lexova Marin Barletin.
Andrea Gropa ishte princ fisnik arbëror, sundimtar i Ohrit në Mesjetë. Por në atë moment, përveç kësaj m’u kujtuan edhe fjalët e xha Janit nga “Varoshi” i Ohrit që m’i pati thënë gjatë një “ligjërate” nën hijen e pjergullave para shtëpisë së tij kur unë si fëmijë (kam qenë nxënës i klasës së dytë të fillores) i dërgoja atij në shtëpi prodhime ushqimore bujqësore në atë vjeshtë të bereqetshme.
Shfaqja para syve të mi e këtyre dy monumenteve të dy personaliteteve arbërore mesjetare më bëri të harroja kontekstin dhe rezultatin e mllefit të grupit të të rinjve që me një çekiç kishin tentuar ta rrëzojnë monumentin e car Dushanit. Në atë çast dhe më vonë ndjeva disa emocione të përziera që vinin nga fakti se isha i befasuar që në ato rrrethana dhe në atë atmosferë polarizuese në grupin e njerëzve të dalluar që kanë lënë gjurmë në historinë e këtyre anëve janë së paku dy figura eminente arbërore. Të ndjehesh i lumtur, apo të ndjesh keqardhje në këto rrethana…?!
Kjo ndjenjë e përzier m’u nxit nga fakti se përderisa një grup i të rinjve gjaknxehtë shprehën revoltën e tyre për vendosjen e shtatores së një pushtuesi të tokave arbërore, askush nuk e shënoi dhe as që përmendet edhe sot e kësaj dite që në atë urë, në Shkup, janë edhe dy figura eminente të mesjetës të cilat me bëmat e veta lanë gjurmë dhe nderuan gjakun e tyre me vepra fisnike si në qeverisje ashtu edhe në mbështetjen e artit.
Familja Gropa administroi me drejtësi këto vise, kurse Jan Kukuzeli, për kompozimet e tij dhe këngët kishtare të kohës (zëri i tij kumbonte mahnitshëm edhe në kishën Shën Sofia në Stamboll, për çfarë ky artist më vonë u shenjtërua)që sot njihet si Shën Jan Kukuzeli – Durrësaku(1280-1359).
Pa qëllim të keq, por jo pa shkak, më shkoi mendja se mos vallë për faktin që ata i kanë pasur emrat Andrea dhe Jan neve na duken si të huaj, sepse për të qenë shqiptarë detyrimisht duhet të kenë pasur që atëherë emra që dominojnë sot këtu, më saktë në Maqedoninë e Veriut. Ky këndvështrim “spontanisht” i imponuar, ky parim i identifikimit dhe shqyrtimit të historisë sonë pa dyshim e bën shumë të lehtë përvetësimin e shumë figurave tona historike nga të tjerët. Në këtë kontekst nuk mund të mos e përmend një segment të një polemike në mediet tona kur një akademik maqedonas donte ta bindte opinionin që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza jonë, është maqedonase ose së paku me prejardhje vllehe për faktin që i ati quhet Nikollë (Kolë). Kuptohet që nuk mund ta përdorte emrin e Gonxhes si argument, i vetëdijshjëm që ajo nuk mund të jetë e një etnie tjetër përveç e asaj që flet vetë emri, – shqiptare.
Megjithatë, takimi im me princin arbëror dhe sundimtarin e Ohrit Andrea Gropa ishte ajo që më plotësoi zbrazëtirën që më krijoi ndjenja e shterpësisë së vizionit të ndërtimit të trungut tonë historik ndër shekuj. Përveç faktit të njohur nga historianët se Gropajt, Muzakajt dhe Ballshajt kishin lidhje familjare (miqësi) dhe si të tillë u bënë ndër faktorët e rëndësishëm për bashkimin e princave rreth Skënderbeut, Andrea Gropa, si sundimtar, njihet si mbështetës i zhvillimit ekonomik dhe afirmimit kulturor të popullatës së kësaj ane.
Ai është i njohur edhe për faktin se në kohën e tij një shqiptar tjetër ka qenë edhe kryepeshkop i Kryepeshkopatës së Ohrit. Bëhet fjalë për kryepeshkopin Dorotej që organizoi popullatën shqiptare të Kryepeshkopatës së Ohrit për të mbështetur rezistencën arbërore. Për këtë arsye, sulltani, pas vdekjes së Skënderbeut, kryepeshkopin dhe shumë besimtarë ortodoksë shqiptarë i pati syrgjynosur (internuar) nga Ohri. (Strarinar,1951)