Qeveria në seancën e sotme shqyrtoi dhe miratoi informacionin për nevojën e shpalljes së Liqenit të Ohrit zonë e mbrojtur nga kategoria III – monument natyror dhe mori vendim për pranueshmërinë e propozimit.
Gjithashtu, Qeveria ka porositur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që deri më 30 qershor 2022 të organizojë debat publik për propozimin, në bazë të të cilit do të përgatitet propozimi përfundimtar për shpalljen e Liqenit të Ohrit zonë e mbrojtur në kategorinë III monument natyror.
Kjo nismë, sipas shërbimit për shtyp të qeverisë, vjen në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s për mbrojtjen e liqenit të Ohrit për të mundësuar mbrojtjen, ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të vlerave natyrore, caktimin e një enti menaxhues që do të kujdeset për zonën e mbrojtur dhe miratimin e planit për menaxhim në përputhje me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës.
“Proklamata do të arrijë progres në drejtim të zbatimit të legjislacionit kombëtar për mbrojtjen e natyrës, Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen e Natyrës me Plan Veprimi (2017-2027), Strategjisë Kombëtare për Biodiversitetin me Plan Veprimi për periudhën (2018-2023), si dhe progres në zbatimin e detyrimeve të direktivave të BE-së për habitatet dhe shpendët, detyrime nga konventat ndërkombëtare, të cilat janë ratifikuar nga vendi ynë, si Konventa për Diversitetin Biologjik, Konventa e Bernës, CITES, Konventa e Bonit, Konventa Ramsar etj”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.