Pas 20 vitesh pritje e premtime, sot u përurua kulla përkujtimore për nder të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Është e gjatë 20 metra, ndërsa qëndron rrëzë kompleksit të dëshmorëve në Sllupçan, ku prehen të rënët e luftës së vitit 2001.
“Frymëzimin e kësaj kulle e kemi nga Lidhja e Prizrenit, të frymëzuar nga shtatgjatësia e ushtarëve tanë dhe në krye shqiponja vëzhgon tërë kohën”, deklaroi Sadulla Duraku, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK.
Ka kushtuar rreth 200 mijë euro, ndërsa buxheti është ndarë nga Komuna e Likovës, kryetari i së cilës është nga radhët e BDI-së. Zyrtarët integristë nuk kishin se si të mungonin as sot, ndërsa i printe kreu i partisë Ali Ahmeti, i cili duke komentuar zërat për ligjshmërinë e këtij lapidarit, u shpreh se ky monument nuk ndan por bashkon, madje sipas tij rrit besimin edhe tek Marrëveshja e Ohrit, pa të cilën, sipas Ahmetit, vendi do të ishte në pozita të pa lakmueshme.
“Ky vend ka ardhmëri. Kam dëgjuar mediat se po ngritet ky lapidar, po komente bëhen nga bashkëqytetarët, apo nga krijuesit, gazetarët e publicistë maqedonas. Ky monument nuk na ndan, ky monument na bashkon. UÇK është pjesë e historisë së pandarë të këtij vendi, nuk mund të ketë ky vend histori pa UÇK-në. Nuk mund të ketë ardhmëri ky vend pa të arriturën më të madhe, marrëveshjen paqësor të Ohrit si rezultat i kësaj ushtrie. Ardhmëria e këtij vendi është Marrëveshja e Prespës, marrëveshja e cila na anëtarësoi në NATO”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Liria e fituar, si në Maqedoni po ashtu edhe në Kosovë, sipas Ahmetit është bërë me organizim e sakrificë, e më meritorët janë dëshmorët.
“Lavdia u takon atyre, që bëjnë ura, jo ata që ecin mbi ura. Andaj liria jonë themelet e urës sonë, janë në gjak dhe ky gjak po përjetësohet, këtu në këtë lapidar, jo rastësisht e thash që po të kishte gjuhë e të fliste toka që na ushqen, trupi mornica do të na shkonte, por të gjitha ato rezistenca dhe luftëra kanë mbetur vetëm në kujtesë dhe fatmirësisht që është ruajtur nga rapsodët por jo edhe në përjetësime si ky përjetësim i përjetshëm që është para nesh, ku të gjithë ata që kanë rënë është shtëpi e përbashkët e tyre dhe ne në jetë të jetëve, populli, do i kujtojmë”, pohoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Në shënimin e 2 majit dhe përurimin e lapidarit morën pjesë edhe familjarë të dëshmorëve e veteranë të luftës, ndërsa manifestimi u shënua edhe me poezi e këngë.