Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ushtria ukrainase deri tani ka shkatërruar më shumë se 1000 tanke ruse, rreth 200 avionë rusë dhe pothuajse 2500 automjete të blinduara luftarake.
Pavarësisht këtyre humbjeve, trupat ruse kanë ende pajisje për të kryer sulme shtesë, ka thënë Zelensky, njoftoi CNN-i të dielën.
“Sigurisht që pushtuesit kanë ende pajisje në magazinë. Ata kanë ende raketa për të goditur territorin tonë, por kjo luftë tashmë e ka dobësuar Rusinë”, ka thënë Zelensky.
Më 9 maj, Rusia planifikon të mbajë paradën e saj tradicionale të Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq, duke përkujtuar dorëzimin gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.
Presidenti ukrainas gjithashtu ka pretenduar se Rusia ka humbur tashmë më shumë se 23,000 ushtarë që nga fillimi i pushtimit.