“O xhematë”, pa bashkëpunim “spiuni me spiunin” s’ka miliona!

O XHEMAAT! Sa njerëz kanë bërë milionat? Ai Mercedes i shtrenjtë sigurisht që nuk blihet me rrogë. Janë të rrallë ata që blejnë me mund dhe hallall. Pa bashkëpunim “spiuni me spiunin” nuk ka miliona. A më së shumti ata flasin për “spiunllëk”! Spiuni tezen ta q…. Estakfirullaah. Sikter në shtëpi dhe thuaj “mirëdita” komshiut nëse dëshiron të të thotë edhe ai ty! Do të shohësh se funksionon.

Agim JONUZ

Një ditë më parë, në një çajtore një majmun që donte të më tregohej si “mik”, më tha se në një shoqëri dikush më kishte quajtur “spiun kaur”, sepse në kolumna shumë e paskam dashur dhe mbrojtur Maqedoninë. Qenkam bërë “më kaur se kaurët”, gjoja se maqedonasit bash e kanë gajle për shtetin dhe se unë paskam kërcyer për ta shpëtuar. Tipi që mbante një Rolex në dorë dhe kishte dhëmbë të verdhë që nuk kishte nevojë për ekspertizë për atë se nuk i lanë rregullisht – ishte shumë serioz. Buzëqesha, dhe po thosha me vete “Hajde Agim ngrihu nga tavolina”, ky dëshiron të provokojë, kështu që shko me kohë se e ke “fitilin e shkurtër”, dhe është Ramazan! Nuk ka kuptim ta nokautosh në mes të Ramazanit. Nuk dija a të qeshja apo të qaja. Çfarë mund t’i shpjegosh dikujt që ka një gardërobë të paktën një mijë euro, vozit një Mercedes “S class”, por nuk i blen laptop vajzës së tij se ishte “haram”! Interneti i tepërt ishte haram për vajzat. Ai e konsideron veten një prototip modern të një shqiptari, i cili u jep shembuj të tjerëve. Edhe ti je një “patriot”!? Ti je një dëm i gjallë për popullin shqiptar.
Leje që maqedonasit po qeshin me ty, por po qeshin edhe shqiptarët e Shqipërisë! Shëtit rrugëve të Tiranës nëse tashmë betohesh në Shqipërinë si atdheun amë (Maqedonia thua se nuk është), dhe atje do të shohësh se ata vetë i përçmojnë dhe urrejnë tipat si ti! Jo sepse je mysliman! Por sepse “hallalli dhe harami” yt në politikën e shekullit të njëzetenjë do të thotë nëse mban një “Rolex”, të paktën lani dhëmbët rregullisht. Të mos ua hapësh gojën “kaurëve” se ne “shiptarët” nuk i lajmë dhëmbët. Unë nuk të kam faj për asgjë këtu. Dhëmbët i kam të bardhë natyrshëm, por më lejo të të kujtoj se kam lindur në “Jahja Pashë” si brezi i katërt i shkupjanëve. Ndërsa ti je një selak. Ndoshta kjo është arsyeja pse unë jam një “spiun kaur”. Sepse maqedonasit më thonë “mirëdita” kur më shohin. Mirëpo, prapë të jam mirënjohës që më ke dhënë idenë për një kolumnë për të analizuar se çfarë do të thotë të jesh “spiun kaur”. Le të analizojmë dhe të fillojmë nga e para.

A është turp të ushqesh dhe zhvillosh shtetin tënd? Në atë shtet ku përzihet edhe “turku edhe kauri”, askush nuk mund të të ndalojë të jesh jo vetëm shqiptar, por edhe marsian po të duash. Imagjino shtetin si një ndërtesë me disa kate në të cilën jetojnë maqedonasit, pastaj shqiptarët, pastaj gjithçka tjetër. Mirëpo, godina ka të njëjtën hyrje, të njëjtat shkallë, të njëjtat mure, të njëjtin parking dhe të gjithë brenda korridoreve kanë një erë të njëjtë kur dikush gatuan lakër turshi, dhe ndonjëherë ëmbëlsira të bukura që nuhasin bukur. Pra, ata ndajnë të njëjtin ambient. Kur ndalet rryma, ndalet për të gjithë, kur nuk ka ujë, të gjithë kanë etje dhe kur dikush bën dasmë para një pallati, të gjithë e shajnë se i bien boritë dhe daullet në vesh. As fëmija i turkut e as i kaurit nuk flenë. Pra, të gjithë ndajnë të njëjtin fat të përditshmërisë. Tani, si banor në atë ndërtesë, do të përpiqeshe ta mbash atë të pastër dhe të bukur, apo do të thoshe “bash po ma ndien për kaurët”, le të plasin! Nëse nuk kujdesesh për atë ndërtesë dhe nuk e ruan atë, je një kafshë e rëndë që nuk e meriton të jetosh në atë ndërtesë. Ndërtesa është shtëpia jote! Fytyra jote dhe përgjegjësia jote. Po! E njëjta gjë vlen edhe për kaurin. Nëse më kuptove, më vjen mirë, nëse nuk më kuptove, nuk kam faj. Sa për të ta kujtuar se nëse bëj gjithçka për ta bërë ndërtesën një vend të këndshëm për të jetuar, nuk do të thotë se “vdes pas kaurëve”, por e bëj për veten time. Unë dua – të jem mirë vet! Dhe mos harro, megjithatë kaurin e kam fqinj “derë më derë”, të cilit do t’i trokas në derë të parit në mesnatë nëse jam në vështirësi. Dhe ai mua. Dhe kështu, në fund, ulu rehat në atë Mercedesin tënd, e fute marshin në të katërtën për të të çuar sa më shpejt në p… të nënës! Hajt, git!

Populli shqiptar si autokton në Maqedoni ka etno kauzën e tij që respektohet dhe e ka vendin e vet në institucionet e shoqërisë. Askush nuk e konteston. Kur them etno kauzë, kam parasysh gjithçka që realizohet me marrëveshjen kornizë dhe vihet në vend të saj. Për këtë u derdh edhe gjak. Kishte gjak nga të dyja palët. Jeta vazhdon, dhe nëse flasim për një etno-kauzë me karakter nacional-romantik dhe kulturor, ajo do të zgjasë përjetësisht, si çdo komb tjetër në planet që krenohet me veten. Edhe maqedonasit etnikë gjithashtu kanë të drejtë për kauzën e tyre. Pse kjo e drejtë të jetë ekskluzive vetëm për shqiptarët? Dhe ata kanë të drejtë për të njëjtën gjë.

Mirëpo, kështu Zoti i ka rregulluar kubet që të jetojmë së bashku nën një çati. Nëse po, detyrimi për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë është i përbashkët. Dhe kur flasim për detyrim, kjo do të thotë që në radhë të parë duhet të kemi muhabet dhe të bashkëpunojmë. E, si të bashkëpunojmë kur jemi në një situatë ku nuk dimë nga kush të kemi frikë! Vallë nga njëri-tjetri, apo nga vetvetja etnikisht brenda!? Maqedonasit duhet të kenë frikë nga brenda vetes se a do të bashkëpunojnë me shqiptarët, e ne nga ana tjetër të kemi frikë të jemi konstruktiv që të mos quhemi “spiunë kaur”! Shtetet moderne demokratike nënkuptojnë një garë njohurish, aftësish dhe konstruktiviteti në drejtim të ndërtimit të një shoqërie të shëndetshme. Dhe për të pasur një shoqëri të shëndetshme, duhet të mendosh shëndetshëm. Unë pyes, si mund të kesh një shoqëri të shëndetshme në një vend ku urrejtja, nacional-romantizmi, shovinizmi dhe primitivizmi janë më të përhapura se retë në qiell. Më e keqja nga të gjitha, ai model dhe ambient krijoi një plejadë të madhe njerëzish që përfitonin prej tij dhe që me çdo kusht duan ta ruajnë atë ambient për arsye komerciale. Dhe tek “turqit edhe tek kaurët”! Ooop! Dhe këtu vijmë te pyetja kryesore. Nëse tashmë në ndërtesën e përbashkët ku jetojmë, disa banorë duan të ecin minjtë, çfarë mund të bëjmë për ata që duan që ndërtesa të jetë e ngrohtë, e pastër, të mos kenë frikë natën kur drita në korridor fiket? Po! Harrova, do t’i quajmë “spiunë”! Thjesht sepse ndryshe nga ti, ata kanë pastruar shumë mirë dhe shumë kohë më parë me filozofinë tënde të “haramit dhe hallallit”. Korridoret e godinës nëpër të cilat kalojmë nuk janë as turke e as kaure. Nëse më duhet të quhem spiun se dua të kem një dritë në korridor, atëherë nuk e di pse të shpjegoj fare.

Në Maqedoni, antagonizmat mbi baza etnike dhe fetare paralizojnë shumë mendje dhe individë modernë, të civilizuar për të instaluar një model të ndryshëm të jetës së përditshme. Bashkëjetesa cilësore është një parakusht kyç për një shtet funksional. Askush nuk detyron askënd të “të duhet vërtetë”, por duhet të ketë respekt dhe bashkëpunim. Ultranacionalizmi dikuj i sjell para, dobi, por asnjëherë nuk ka qenë fitues në fund, as nuk i ka sjellë lumturi dikujt. Ne në Maqedoni kemi një problem serioz me faktin se ende nuk kemi ndërtuar apo prodhuar një masë kritike njerëzish me mendje qytetare që janë mbi nacionalizmin dhe marrëzitë që na pengojnë të krijojmë funksionalitet cilësor.

Është një gjë të ndjekësh dhe të ushqesh kauzën tënde, dhe krejt tjetër të jesh një nacionalist destruktiv. Askush nuk të pengon të jesh “shqiptari më i madh në botë”! Ti mund të ndjekësh kauzën sa të duash, por kjo nuk guxon dhe nuk duhet të jetë në dëm të askujt. Respektoni veten, por mos e poshtëroni personin tjetër. Në fund të fundit, nëse do që dikush të të respektojë, duhet të respektosh të tijin. Ky është reciprocitet. Dhe tani në fund do të bëj një pyetje për të gjithë ata që mendojnë se “Agimi është spiun kaur”!

Nëse jetojmë në Zvicër dhe ëndërrojmë që Maqedonia të jetë Zvicër, a është Agimi “spiun zviceran” nëse bashkëpunon në jetën e përditshme me zviceranët për të mirën e Zvicrës? Kjo është logjika! Shumica e atyre që jetojnë dhe punojnë në Zvicër i puthin bythën zviceranëve që të jetojnë bukur dhe me dinjitet si njerëz, dhe këtu në Maqedoni nëse je konstruktiv në ndërtimin e shtetit bashkë me maqedonasit je “spiun kaur”? Epo, nuk ka “Zvicër në Ballkan” pa bashkëjetesë, konstruktivitet, bashkëpunim, respekt për vlerat e të tjerëve dhe dorë të ofruar. Me filozofinë “ose mendon si unë ose je kundër meje”, ultranacionalistët dhe primitivët po qëllojnë veten në këmbë. Në të dyja palët! Evropa ka kritere të ndryshme. Duam apo s’duam, për të qenë Evropë, një ditë do të duhet të kuptojmë se “macja dhe miu” duhet të flenë bashkë nëse duhet, por shteti duhet të jetë i shëndetshëm, social dhe stabil. Nuk ka asnjë formulë tjetër. A, fakti që ne ende jetojmë në kokat e disa barinjve me “hallallin dhe haramin” e tyre politik (nga të dyja palët) është fati i kombeve të vogla dhe të kompleksuar. Është e tmerrshme që i kemi lejuar ata të vendosin sistemin e vlerave. Për të vendosur. Për të bërë politikë. Të mirëmbajnë ndërtesën në të cilën jetojmë të gjithë së bashku, duke mos lejuar një grup banorësh të shoqërohen, respektohen, duan dhe vizitojnë njëri-tjetrin. Për Pashkë, për Bajram, në një dasmë, në një varrim. Epo, këta janë të gjithë “spiunë”!

O XHEMAAT! Sa njerëz kanë bërë milionat? Ai Mercedes i shtrenjtë sigurisht që nuk blihet me rrogë. Janë të rrallë ata që blejnë me mund dhe hallall. Pa bashkëpunim “spiuni me spiunin” nuk ka miliona. A më së shumti ata flasin për “spiunllëk”! Spiuni tezen ta q…. Estakfirullaah. Sikter në shtëpi dhe thuaj “mirëdita” komshiut nëse dëshiron të të thotë edhe ai ty! Do të shohësh se funksionon.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)