Disa muaj më parë, dërgimi i tankeve gjermane në një zonë lufte do të kishte çuar zemërim te populli. Sot, kancelari gjerman Olaf Scholz është nën kritika të ashpra, sepse ai duket se nuk dëshiron ta bëjë këtë.
Rreth 55% e gjermanëve thonë se duan që armë të rënda, si tanke, të dërgohen në Ukrainë, me 37% që janë kundër, shkruan BBC.
Politikanët e Gjelbër dhe FDP në qeverinë e Scholzit, si dhe kundërshtarët konservatorë, akuzojnë kancelarin e qendrës së majtë SPD për ndalimin e dërgesave të armëve.
Berlini ka dorëzuar më pak armë se Britania dhe SHBA-ja, dhe ishte më i ngadalshëm për t’u përgjigjur me sanksione. Por Gjermania është zotuar të rrisë ritmin, duke përfshirë edhe armatimin e rëndë.Sllovenia tani do të dërgojë tanke të epokës sovjetike në Ukrainë – të cilat ushtarët ukrainas mund t’i përdorin menjëherë. Në këmbim, Berlini do t’i japë Sllovenisë tanke të prodhimit gjerman, të cilët kanë nevojë për trajnim.
Gjermania gjithashtu do të trajnojë ushtarët ukrainas për të përdorur sisteme të prodhuara nga Gjermania. Dhe Berlini do t’i japë Kievit 1 miliard euro për të blerë armë.
Argumenti i kancelarit Scholz se Ukraina ka nevojë për tanke që mund të përdoren menjëherë është i arsyeshëm. Dhe për shkak të investimeve të vogla të mbrojtjes prej dekadash, Gjermania në fakt nuk ka aq shumë për të dhënë.
Kancelari Scholz nuk i përket atij krahu tradicionalisht të butë nga partia e tij ndaj Moskës.
Por Scholz mund të jetë nervoz për humbjen e mbështetjes të anëtarëve të partisë së tij SPD që ende besojnë se dërgimi i shumë armëve në Ukrainë do të thotë përshkallëzim i luftës.