Rasti “Besiana Mehmedi”, studentët ranë dakord me rektoratin që nga sot të fillojnë ligjëratat, por me profesor tjetër

Studentët e muzikës të universitetit të Tetovës, të cilët disa javë bojkotuan ligjëratat dhe javën e kaluar protestuan para Universitetit të Tetovës për shkarkim të profesoreshës Besiana Mehmedi për sjellje jo etike dhe kërcënime, nga sot rifilluan ligjëratat, por me një profesor tjetër. Ata thonë se kanë rënë dakord me këshillin e fakultetit të Arteve dhe Rektoratin që kërkesat e tyre të plotësohen, shkruan Portalb.mk.

“Dje u takuam me këshillin dhe pasi ramë dakord për pikat që ne i parashtruam keni shkuar deri në Rektorat, ku jemi mirëpritur nga rektori, prorektori për arsim dhe sekretari gjeneral, ku kemi marrë edhe një garancion për pikat që kemi rënë dakord me këshillin. Pasi kemi rënë dakord për plotësimin e pikave, ligjëratat fillojnë sot ndërsa shkeljet e profesoreshës do vazhdojnë të shqyrtohen më tej. Ndërsa profesoreshës në fjalë i kanë ikur njëzet e pesë studentë, pra kanë zgjedhur profesorin tjetër”, tha studenti i vitit të tretë Ardi Lena për Portalb.mk.

Studenti i vitit të parë, Eriton Ismaili tha se sot janë kthyer në ligjërata, siç tha ai në normalitet pas asaj që ndodhi.

“Kemi pasur të nënshkruajmë një deklaratë se me cilin profesor do të vazhdojmë ligjëratat e historisë së muzikës, sepse kështu është marrë vendimi. Ne si vit i parë kemi zgjedhur të vazhdojmë ligjëratat me profesorin Bajram Çupin, kjo ka qenë zgjedhje e përbashkët e jona. Pas përfundimit të ligjëratës së sotme, studentët janë kthyer që të rikthehen përsëri në klasë dhe aty pastaj ka ardhur profesoresha Besiana dhe ka ushtruar presion mbi ne për zgjedhjen që bëmë”, tha Eriton Ismaili.

Edhe pse paraprakisht njoftuan se do të ketë protesta këtë javë, studenti Lena konfirmoi se kjo tani nuk vlen më, ndërsa siç tha çështja mund të vazhdojnë në gjykatë mes profesoreshës dhe disa studentëve. Ndër të tjera studenti Lena shtoi se në rektorat janë pritur mirë, pavarësisht fjalëve se ata janë kundër tyre.

Studentët kanë kërkuar që jo vetëm këtë semestër por edhe vitin e ardhshëm të kenë të drejtë të zgjedhin mes dy profesorëve, dhe për këtë siç njoftuan kanë marrë garancion nga rektorati.

Nga ana tjetër, dekani i Fakultetit të Arteve, NafiJashari për Portalb.mk tha se janë marrë parasysh kërkesat e studentëve.

“Ne pasi morëm vendimin e këshillit të Fakultetit të Arteve, në vendim të këshillit ne faktikisht morëm në konsideratë kërkesat e studentëve që ato të kenë mundësi të dëgjojnë lëndën edhe te një profesor tjetër dhe ky vendim është i plotfuqishëm. Studentët nuk kanë besuar se një vendim i tillë edhe do të realizohet, ne edhe njëherë ua konfirmuam se vendimi është i plotfuqishëm dhe se studentët kanë obligim dhe detyrim të kthehen në mësime. Kështu prej dje vendosën të kthehen në mësim dhe nuk ka asnjë problem tjetër, janë plotësuar kërkesat e studentëve”, tha Jashari.

Ndërkaq i pyetur se a kanë pasur studentët kërkesa tjera, përveç se të ndjekin ligjëratën me profesor tjetër, Jashari tha se kërkesa tjera nuk ka pasur, sipas tij studentët e kanë pasur problemin vetëm te një profesor, kjo ka qenë ajo kryesorja dhe është plotësuar.

Ndërkaq i pyetur se a do të merren masa tjera ndaj profesoreshës Mehmedi përveç vërejtjes me shkrim, Jashari tha kështu:

“Masa varësisht prej veprimeve, masa mund të merren edhe ndaj meje si dekan nëse e thyej statutin, ligjin për arsim të lartë. Masat vlejnë për të gjithë, e kemi statutin e Universitetit të Tetovës, e kemi Ligjin për Arsim të lartë, rregulloren e fakultetit.”

Portalb.mk kontaktoi edhe rektorin, prorektorin për arsim, dhe sekretarin gjeneral të UT-së, por deri në publikimin e këtij shkrimi ata nuk u përgjigjën, konkretisht në pyetjet:

  1. Për çfarë pikash jeni pajtuar? (me studentët)
  2. A do shqyrtohen kërkesat dhe ankesat e studentëve të muzikës më tej?
  3. A do merren masa tjera ndaj profesoreshës Mehmedi për rastin dhe ankesat tjera, përveç vërejtjes me shkrim?
  4. Cili është qëndrimi i Universitetit të Tetovës me rastin komplet në fjalë dhe ankesat tjera ndaj prof. Mehmedit?

Rikujtojmë që të dielën dy studentët e muzikës, Ardi Lena dhe Bleron Veliu, u ftuan në polici për audio-incizimin e publikuar pa leje, të denoncuar nga profesoresha Besiana Mehmedi.

Studentët e Muzikës të Fakultetit të Arteve në UT, javën e kaluar protestuan kundër sjelljes joetike të profesoreshës Besiana Mehmedi. Paraprakisht, Këshilli mësimorë-shkencor i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës vendosi që profesoreshës Besiana Mehmedit t’i japë vërejtje me shkrim për shkak të shkeljeve në procesin e mësimdhënies.

Profesoresha Mehmedi, përmes dy reagimeve me shkrim për mediat, i konsideroi të pa vërteta ankesat e studentëve që sipas saj mundohen të njollosin personalitetin e saj si pedagoge dhe artiste

Ndryshe, rasti filloi kur studentët e muzikës të UT-së para mediave deklaruan se profesoresha Besiana Mehmedi i ka kërcënuar për shkak të një reagimi që njëri prej studentëve e ka bërë në rrjetin Facebook. Ata thonë se profesoresha vazhdimisht ka sjellje jo të mirë ndaj tyre. Si rezultat i kësaj ata bojkotuan mësimin në orën e profesoreshës. Për të parë disa nga ankesat e studentëve klikoni KËTU. Ndërkaq, në youtube u publikua edhe një incizim ku pretendohet se në incizim dëgjohet Memedi duke ofenduar studentet. Prindërit dhe ish studentët përkrahin kërkesat e studentëve, Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) tha se do kërkojë përgjegjësi në Prokurori.