Përdorim i gabuar i fjalëve kyç, kyçem, kyçur
Folja KYÇ (KYÇEM) përdoret gabimisht nga mediat, politikanët dhe për rrjedhojë edhe nga qytetarët.
Le ta shfletojmë fjalorin:
KYÇ (folje kalimtare) – mbyll derën, dollapin me kyç; mbyll dikë brenda (në një dhomë a në një shtëpi) dhe nuk e lë të dalë; kund. shkyç. Kyç derën (sirtarin, kasafortën). Kyçe nga brenda (nga jashtë)! E kishte kyçur brenda. Kyçe (mbylle, qepe) gojën! Mos fol më! Pusho!
KYÇ është edhe emër. Fjalë sinonime të emrit kyç janë : çelës dhe dry. Mjet prej metali që varet në dy hallka e shërben për ta mbajtur të mbyllur një derë, një dollap, një arkë etj.; dry. Kyç varës. E mbyll me kyç. I vë derës (dollapit) një kyç. E ka (është) me kyç. I vë kyçin portës.
KYÇEM (folje vetvetore) sipas FGJSH :
- Mbyllem brenda (në shtëpi, në dhomë etj.) me kyç.
- fig. Mbyllem brenda (në shtëpi, në zyrë etj.) dhe rri aty për një kohë të gjatë pa dalë jashtë. Është kyçur, nuk shihet gjëkundi.
- vet. veta III. Mund të mbyllet me çelës, mbyllet me çelës; e ka kyçin, çelësin a bravën në rregull. Nuk kyçej dera. Mezi kyçej.
- Pës. e KYÇ.
Kuptimi i kundërt i foljes kyç/kyçem është shkyç (hap) që sipas FGJSH do të thotë :
SHKYÇ kal.
- Hap kyçin me çelës; hap diçka që është e kyçur; kund. kyç. Shkyç drynin. Shkyç derën (dollapin).
- elektr. Ndërpres kalimin e rrymës në një qark elektrik, hap qarkun me anë të çelësit. Shkyç çelësin. Shkyç qarkun.
Le ta sqarojmë me disa shembuj :
-Ai ishte kyçur në Partinë demokratike që nga viti 1991.
-Unë nuk jam kyçur fare nëpër parti politike.
-Duhet të kyçesh në politikë që të përfitosh!
Në të gjitha fjalitë e mësipërme folja kyç/kyçem është përdorur gabim. Mund të thuhet:
-Ai ishte anëtarësuar në Partinë demokratike që nga viti 1991.
-Unë nuk kam aderuar fare nëpër parti politike.
-Duhet të aderosh (inkuadrohesh/përfshihesh) në politikë që të përfitosh!
Pra nëse themi “Kyçje të reja në partinë X” është gabim.
Çka do bëjnë këta anëtarë rë rinj, do të kyçen (mbyllen) brenda partisë e nuk do dalin më?!
Duhet përdorur fjalët: anëtarësim, inkuadrim, bashkim, aderim, përfshirje etj.
P.sh. Anëtarësime të reja në partinë X.
Shëndet e të mira!
Përgatiti: Xhemi Hajredini
Strugë, 25 tetor 2019