Mes protestave dhe mbishkrimeve të ndryshme, ka arritur sot në Manastir kryeministri bullgar Kiril Petkov, zëvendëspresidentja bullgare Iliana Jotova dhe ish ministrja e Jashtme Teodora Gençovska. Zyrtarët e lartë bullgarë erdhën në Manastir për të marrë pjesë në hapjen solemne të klubit të Qendrës së kulturës “Ivan Mihajllov”, që është qendër kulturore e komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut. Në fjalën e tij gjatë hapjes së qendrës, kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se ashtu siç kishte premtuar në fushatë, do të angazhohet për pakicën bullgare në Maqedoninë e Veriut. Por Petkov theksoi gjithashtu se duhet të punohet për të gjetur zgjidhje me qëllim që Maqedonia e Veriut të ecë përpara në integrimin evropian dhe i gjithë rajoni të ketë rritje ekonomike.
“Të dyja palët duhet të gjejnë një urë me të cilën do të krijohen marrëdhënie më të mira, dhe të mundësojmë që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e BE-së. Dhe nëse punojmë të gjithë bashkë, kemi mundësi reale. Nëse bashkohemi, nëse i bashkojmë forcat, kemi gjasa të bëjmë hapa përpara. Kjo nuk do të ndodhë duke u bazuar në dokumente, por me punë të përbashkët. Unë do të thoja që duhet ta shfrytëzojmë potencialin, të shtrijmë dorën dhe të bëjmë që rajoni ynë të ketë rritjen më të madhe ekonomike”, deklaroi Petkov.