Der Lajen – Petkovit: Maqedonisë dhe Shqipërisë u janë premtuar negociata

epa09134959 European Commission President Ursula von der Leyen delivers a statement after a college meeting at the EU headquarters in Brussels, Belgium, 14 April 2021. EPA-EFE/JOHN THYS / POOL

Kryetarja e KE-së Ursula von der Lejen e cila ndodhet në Bullgari, nuk tregoi nëse Brukseli po i bën presion Sofjes për dritën jeshile të procesit integrues të Maqedonisë, shkruan Alsat.

Megjithatë, Der Lajen i kujtoi kryeministrit bullgar Kiril Petkov, se Këshilli Evropian i kishte premtuar Maqedonisë dhe Shqipërisë fillimin e negociatave.

“Premtimet bazë për partnerët tanë, janë shumë të rëndësishme. Unë mbështetem te Bullgaria, se ju do ta menaxhoni procesin me shumë mjeshtëri, dhe jeni në gjendje ta bëni këtë”, tha Ursula von der Lajen – Presidente e KE-së.

Ndërkohë, çështja e bllokadës së Maqedonisë ka tronditur stabilitetin e koalicionit të udhëhequr nga Petkov. Partneri qeveritar Slavi Trifonov akuzoi kryeministrin se “diku në errësirë” ka pranuar të fillojë negociatat me BE-në deri në qershor, pa kushte shtesë për Shkupin. As partnerët e tjerë qeveritar nuk janë dakord për temën e Maqedonisë.

“Ne duhet ti mbrojmë qartë interesat tona kombëtare, por kjo përfshin që Maqedonia të bëhet anëtare e familjes evropiane së bashku me ne”, u shpreh Hristo Ivanov – President i “Bullgarisë Demokratike”.

“Dëgjohen informacione se çështja do të zgjidhet deri në qershor, por edhe nëse është thjesht teknike, nuk ka si të ndodhë. Duhet të përmbushen shumë gjëra nga Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë, që nuk janë përmbushur”, tha Georgi Svilenski – Partia Socialiste Bullgare.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se për momentin nuk ka zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët, as negociata të fshehta, dhe opozita i bëri thirrje që të raportojë para deputetëve.

“Nuk ka negociata të fshehta, asnjë marrëveshje të fshehtë. E dini se në marrëdhëniet tona me Bullgarinë kemi marrëdhënie që bazohen në komunikimin e sinqertë mes dy qeverive dhe dy kryeministrave”, pohoi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

“Sot i dërguam kërkesë kryeministrit Kovaçevski, që në prill të paraqitet para Komisionit për Politikë të Jashtme dhe të dorëzojë projekt-dokumentet për të cilat qeveria maqedonase po diskuton me Sofjen zyrtare”, tha Antonio Miloshoski – VMRO-DPMNE.

Nuk dihet ende nëse kërkesa e deputetëve të opozitës është e pranueshme për kryeministrin.