Nesër nis muaji i Ramazanit, gjërat që prishin apo nuk prishin agjërimin

Nesër, myslimanët në Shqipëri dhe mbarë botën nisin një rrugëtim të lartësimit shpirtëror, moral, pse jo edhe shëndetësor.

Ramazani është muaj në të cilin mëshira, paqja dhe begatia e Zotit përfshin çdokënd.

“Agjërimi adhurim që do t’ju ndryshojë jetën” Kryetari i komunitetit mysliman mesazh besimtarëve
Gjërat që prishin agjërimin:

1. Ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime (edhe nëse nuk ejakulon), nëse bëhen me qëllim.

2. Vjellja me qëllim, edhe nëse është në sasi të vogël.

3. Hajdi (menstruacionet) dhe nifasi (lehonia) te gratë.

4. Nxitja me qëllim të ejakulimit (masturbimi).

5. Përcjellja në fyt e guralecëve të vegjël apo paratë e metalta.

6. Pastrimi i veshkave (në dializë).

7. Injeksionet që përmbajnë materie ushqyese dhe infuzionet.

8. Marrja dhe dhënia e gjakut.

9. Nga gjërat e lartpërmendura që e prishin agjërimin, besimtari duhet t’i kompensojë me agjërim ditët e lëshuara (mjafton vetëm kompensimi), vetëm në rastin e marrëdhënieve intime, ku përveç kompensimit pason edhe ndëshkimi (kefareti). Kefareti arrihet duke liruar një rob, ose duke agjëruar 60 ditë pandërprerë, ose duke ushqyer 60 të varfër.

Gjërat që nuk prishin agjërimin:

1. Marrja e ushqimit dhe e pijeve me harresë apo përdhunisht (me dhunë).

2. Barnat që përdoren në sy dhe në veshë, heqja e dhëmbit dhe pastrimi i varrës.

3. Injeksionet jo-ushqyese (penicilina, vaksinat), por më së mirë është të merren pas iftarit.

4. Përcjellja në fyt e pështymës apo e pluhurit të rrugës ose të miellit.

5. Gazrat që përdor i sëmuri (prej frymëmarrjes) për lehtësimin e frymëmarrjes.

6. Dhënia e gjakut në sasi të vogël për analizë mjekësore.

7. Përdorimi i tabletave nën gjuhë.

8. Përdorimi i ilaçit për pastrimin e fytit (nëse nuk përcillet në fyt).

9. Pastrimi i veshëve, i trupit gjatë ditës, pikat që përdoren në hundë (me kusht që të mos depërtojë në fyt).

10. Kontrollimi mjekësor me aparate të ndryshme që bëhet në stomak dhe në fushën e gjinekologjisë.

11. Pastrimi i dhëmbëve me misvak apo brushë (por duhet pasur kujdes që të mos depërtojë në fyt).

12. Hedhja e ujit në kokë, në rast se ka temperaturë, apo shpëlarja e gojës.

13. Nëse është xhunub, mund të lahet dhe ta vazhdojë agjërimin.

14. Përdorimi i erërave dhe i parfumeve.

15. Dhënia gji fëmijës.

16. Futja e ujit në gojë dhe hundë gjatë marrjes së abdesit, duke pasur kujdes që të mos përcillet në fyt.

17. Dhimbjet e pakta të kokës, flama, kollitjet e lehta.

18. Shijimi i ushqimit me majë të gjuhës.

19. Puthja, përkëdhelja, përqafimi i gruas me kusht të përmbajtjes, që të mos shkaktohet ejakulimi.

20. Përgojimi, rrena, shpifja, mbartja e fjalëve (por këto e pakësojnë vlerën e agjërimit).