NATO pret vuajtje të reja dhe më të mëdha në Ukrainë. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, ka thënë se Moskës nuk duhet t’i besohet, pasi sulmet vazhdojnë në Kiev dhe Çernihiv. Kremlini ka premtoi se ofensiva në këto pjesë të Ukrainës do të reduktohet, në mënyrë që të ndërtohet besimi në procesin e negociatave, shkruan Alsat.
“Sipas informatave tona nga inteligjenca, njësitë ruse nuk po tërhiqen, por po ripozicionohen. Rusia po përpiqet të rigrupohet dhe të shtojë ofensivën e saj në rajonin e Donbasit. Rusia po vazhdon me presionin ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera, kështu që ne mund të presim veprime të tjera sulmuese që do të sjellin edhe më shumë vuajtje”, deklaroi Jens Stoltenberg – Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Presidenti ukrainas Zelenski tha se deri më tani asgjë konkrete nuk ka dalë nga negociatat. Sipas tij, tërheqja e supozuar e forcave ruse nga Kievi dhe Çernihiv nuk mund të quhet tërheqje, por ajo është bërë si pasojë e mbrojtjes ukrainase.
“Shohim se Rusia po mobilizon forcat për sulme të reja në Donbas dhe ne po përgatitemi për këtë. Ne nuk i besojmë askujt dhe asnjë fjale të bukur. Ekziston një situatë reale në fushën e betejës dhe kjo është më e rëndësishmja. Ne nuk do të heqim dorë nga asgjë dhe do të luftojmë për çdo metër të vendit tonë”, u shpreh Vollodimir Zelenski- president i Ukrainës.
Nga synimi i Rusisë për të krijuar besim në procesin e negociatave, deri më tani janë të sigurta vetëm korridoret humanitare për Mariupolin. Ndërkohë, mediat ukrainase raportuan detaje të propozimit të Kievit për zgjidhje paqësore ku pritet Moska të përgjigjet. Në kurriz të anëtarësimit në NATO, Kievi ka kërkuar që Rusia, Britania, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe të tjerët të garantojnë sigurinë e saj në rast të ndonjë sulmi. Në disa nga propozimet e publikuara, Ukraina i ofron Donbasit, Krimesë dhe Sevastopolit që të mos bien nën garancitë e mundshme ndërkombëtare.