Ahmeti: Regjistrimi të mos shndërrohet në betejë të pakuptimtë politike

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti derisa komentoi zërat rreth rezultateve të regjistrimit u shpreh se ky proces nuk duhet të shndërrohet në betejë politike. Sipas tij rezultatet e regjistrimit janë pranuar nga të gjitha institucionet në vend dhe nga organizata ndërkombëtare relevante. Ahmeti njëherit apeloi tek të gjitha partitë politike që të mos e politizojnë dhe të mos e elektrizojnë situatën në mes të etnive.

“Regjistrimin, statistikat në vend nuk duhet shndërruar në një betejë të pakuptimtë ndëretnike. Edhe unë jam qytetar i këtij vendi dhe i shoh reagimet, por kjo më ngjan se të gjithë këtë betejë po e shndërrojnë për të fituat poenë politik dhe rejting në fushën politike. Kjo ndërmarrje statistikore është menaxhuar, është monitoruar nga institucione relevante të OKB-së me ekspert të fushës së statistikë dhe ky është rezultati. Këto rezultate gjithashtu janë mbështet politikisht edhe nga BE-ja edhe nga SHBA-ja. Poqëse hapim konteste shqiptarët do thonë nja 200 deri 300 mijë nuk janë regjistrua, maqedonasit po ashtu, serbet, turqit po ashtu dhe çka bëjnë, ne shtetin tonë e shndërrojmë në një arenë debatesh që nuk shpijnë askund përveç acarimeve të brendshme të etnive. Në çdo vend ka 1-12 për qind të popullatës që nuk regjistrohet” këtë mund ta kenë bërë edhe shtetasit tanë të cilët nuk i janë përgjigj thirrjes së institucioneve të shtetit për regjistrim”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.