Edhe pse kaloi një muaj që nga protesta kundër hapjes së kazinosë në afërsi të çerdhes në Tetovë, e njëjta po vazhdon të përgatitet për hapje. Jushi Emërllahu nga Lëvizja anti-bixhoz tregon se deri te Ministria e Financave kanë dërguar kërkesë për largim të kazinove, mirëpo kërkesa e tyre, siç thotë, nuk është marrë parasysh. Nëse vazhdon kjo heshtje paralajmëron se do të dalin përsëri në rrugë, por tashmë para Qeverisë.
“Kjo kazino në afërsi të çerdhes që është afër procedurës së hapjes, kërkojmë përgjegjësi nga ministri i financave pasi që këta drejtpërdrejt lejet i marrin nga Ministria e Financave. Planifikojmë nëse nuk do të veprohet nga Ministria e Financave, ne do të detyrohemi që të dalim në rrugë dhe përgatisim protestë më të madhe që do ta bëjmë para Qeverisë edhe Ministrisë së Financave”, tha Emërllau.
Komuna e Tetovës ka një plan të sajin se si kazinove t’ua rrisë harxhimet kazinove. Kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi thotë se rritja e tatimit për reklamat ndriçuese do ta vështirësonte funksionimin e kësaj veprimtarie, ndërsa nga Kuvendi do të kërkojnë që kazinotë të jenë 500 metra larg ¬çerdheve edhe objekteve fetare.
“Sektorit për veprimtari komunale veçse i janë dhënë detyrat që të përpilojë një listë tjetër dhe një program për vitin 2022 për çmimoren e sinjaleve ndriçuese që i kanë ato reklamat, që të ketë çmim më të lartë që të vështirësojë punën e kazinove, gjegjësisht këtij sektori, kësaj veprimtarie të biznesit. Do të kërkojnë nga këshilltarët që të mbajmë një seancë vetëm për këtë veprimtari apo problematikë ku do të nxjerrim konkluzione dhe kërkesat tona që t’i delegojmë deri tek Qeveria dhe Kuvendi i Maqedonisë”, tha Durmishi.
Në fund të muajt shkurt, në Tetovë u protestua për mos hapjen e një kazinoje në afërsi të çerdhes, por as Ministria e Financave e as Qeveria nuk i mori parasysh kërkesat e qytetarëve.