Kosovë, përkujtohet masakra e Krushës

Pas 23 vitesh nga masakra në Krushë të Vogël, janë rivarrosur sot mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, që ishin vrarë e zhdukur nga forcat e armatosura serbe në këtë masakër, më 26 mars 1999. Në masakrën e Krushës së Vogël u vranë 12 shqiptarë, ku më i riu ishte 13-vjeç.

Nga 145 shtëpi banimi, vetëm 8 i shpëtuan djegies dhe shkatërrimit nga aksioni serb. Edhe në Krushë të Madhe u përkujtua përvjetori i masakrës, në të cilën forcat serbe vranë mbi 240 persona, përfshirë edhe gra e fëmijë. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se janë duke u angazhuar në vijimësi për të sjellë drejtësi për të gjithë viktimat e luftës në Kosovë. Kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi kujtoi gjithë të vrarët duke thënë që serbët kanë shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, ndërsa shtoi që dhimbjet do të pakësohen kur të zbardhet fati i të pagjeturve.

“Ne nuk përcaktojmë datë të fundit për dhënien e drejtësisë, por jemi të bindur që për këtë duhet të punojmë shumë dhe shpejtë. Ne duhet të ecim shpejt në vlerësimin e sakrificës sonë, dhe të angazhohemi shumë për drejtësi për ne”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës