Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, deklaroi dje se Qeveria po shqyrton mundësinë e uljes së çmimeve të pagesave rrugore.
Ai potencoi se do të punohet për pikëpagesat në Tetovë dhe Gostivar që të arrihet pagesë e tërësishme elektronike me çka do të zvogëlohet pjesëmarrja e faktorit njeri.
“Në vitin 2015 filloi projekti për rikonstruimin e pikëpagesave elektronike. Ne tashmë po punojmë edhe në Korridorin 8, pikëpagesa drejt Kumanovës tashmë është rikonstruuar, do të punohet edhe në ato në Tetovë dhe Gostivar me qëllim që të kemi pagesë të tërësishme ekonomike të pikëpagesave me çka do të zvogëlohet pjesëmarrja e faktorit njeri në lidhje me këtë proces”, tha Boçvarski në TV Sitel.
Boçvarski thotë se modeli me vinjetat nuk është mjaft i drejtë.
“Modeli nuk është mjaft i drejtë me vinjetat sepse vinjeta përdoret nga qytetari që udhëton çdo ditë në një destinacion të caktuar dhe përdor më shumë rrugë, se sa mund të paguajë dikush me vinjetën e regjistrimit, pra taksën e udhëtimit, dhe në të njëjtën kohë edhe nuk do të përdorë rrugë publike. Një model i drejtë është që ata që udhëtojnë më shumë të paguajnë më shumë sesa dikush që përdor vetëm rrugë lokale”, beson Boçvarski.
Ai potencoi se 46,4 milion euro janë mbledhur nga pagesa në pikëpagesa vitin e kaluar në NP për rrugë shtetërore.
“Këtë vit kemi buxhetin më të madh për ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve, gjegjësisht mbi 350 milionë euro, që do të thotë se gjatë vitit investohet shumë herë më shumë, gjegjësisht është buxheti më i madh i parashikuar në historinë e Maqedonisë së pavarur për ndërtim dhe rindërtim të rrugëve”, tha Boçvarski.