Kryetari i Bashkimit Demokratik u shpreh se me pikëllim ka pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një nga personalitetet më të shquara të politikës dhe diplomacisë botërore, Madeleine Albright.
“I paharrueshëm ndër ne do të mbetet kontributi i saj për pavarësinë e Kosovës, personaliteti paqedashës dhe përkrahja e madhe që çdoherë i ka dhënë vendit tonë në rrugën e zhvillimit dhe integrimit në strukturat euro-atlantike”
“Kujtimet nga takimet me zonjën Albright më kanë lënë mbresa të veçanta duke e ndjerë atë si pjesë e jona e pandarë në historinë moderne të kombit tonë, ku zonja Albright zë vend të rëndësishëm dhe nuk do të harrohet asnjëherë nga kombi shqiptar”, shkruan Ahmeti.
Ndryshe, mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.
Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.
Albright ishte gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.
Familja e saj ka bërë të ditur se Albright ka vdekur shkaku i kancerit dhe se në momentet e fundit ishte e rrethuar me anëtarët e familjes.
“Me zemër të thyer ju njoftojmë se Madeleine K. Albright, Sekretarja e 64-të e Shtetit dhe gruaja e parë që ka mbajtur atë postë, sot ka ndërruar jetë. Ajo kishte kancer”, shkruan në njoftimin e familjes në rrjetet sociale.