Bien eksportet ruse, tregu botëror i naftës drejt ‘krizës më të madhe të furnizimit’ 

Duke filluar nga muaji prill, tre milionë fuçi në ditë që vijnë nga prodhimi i naftës ruse janë në rrezik si pasojë e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë dhe faktit që tregtarët po shmangin eksportet ruse.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), ndikimet e një humbjeje të eksporteve të naftës ruse në tregjet botërore nuk mund të nënvlerësohen.

“Perspektiva e ndërprerjeve në shkallë të gjerë në prodhimin e naftës ruse po kërcënon të japë një tronditje globale në furnizimin me naftë. Ndikimet e një humbjeje të mundshme të eksporteve të naftës ruse në tregjet globale nuk mund të nënvlerësohen”, tha IEA në raportin e saj mujor të naftës.

Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës pas Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

Në janar të vitit 2022, prodhimi total i naftës dhe nënprodukteve të saj nga Rusia ishte 11.3 milionë fuçi në ditë, nga të cilat eksportohen rreth 8 milionë fuçi në ditë.

Sipas parashikimeve të IEA-së, rrezikohen 2.5 milionë fuҫi të eksporteve. Nga kjo shifër, 1.5 milion fuçi në ditë janë ato të naftës së papërpunuar, ndërsa nënproduktet e saj llogariten në 1 milion fuçi në ditë.

Deri më tani, sanksionet e vendosura kundër Rusisë kanë shënjestruar institucionet financiare dhe individët e pasur. SHBA dhe Kanadaja kanë ndaluar importet e naftës, ndërsa Britania e Madhe ka deklaruar se do të ndalojë blerjet e naftës ruse.