BDI: Gjuha shqipe në uniforma të policisë, reflektim i parimeve të barazisë

Bashkimi Demokratik për Integrim e vlerëson si të rëndësishëm miratimin
e Dekretit nga ana e Qeverisë me të cilin formalizohet përdorimi i
gjuhës shqipe edhe në uniformat e policisë.

Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se me këtë vendim që
uniformat e policisë të jenë edhe në gjuhën shqipe, është përmbushur dhe
një obligim që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe është në
përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe të miratuar në
Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ky Dekret qeveritar, përbën edhe një hap drejtë plotesimit të obligimit
ligjor por edhe të rritjes së mirëbesimit ndërmjet policisë dhe
qytetarëve, pasiqë ky mirëbesim do të ndikojë edhe më shumë në krijimin
dhe formësimin e institucioneve demokratike në vend.

Bashkimi Demokratik për Integrim konstaton se edhe një tjetër detyrë
është kryer me sukses konform Kushtetutës dhe Ligjit që reflekton
zbatimin e përpiktë të parimeve të barazisë si garancë e progresit të
vendit tonë për një shoqëri të barabartë që synim e kanë integrimin e
vendit në familjen e madhe europiane.