Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk kanë premtuar anëtarësim të shpejt të Ukrainës në Bashkim Evropian. Në ditën e dytë të samitit të liderëve të BE-së në Versajë të Francës, liderët e BE-së nuk e vendosën Kievin në një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, ashtu siç kërkoi presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski.
Presidenti francez Emanuel Macron tha se përgjigja e BE-së ndaj ofertës së Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në bllok është “jo”. Përmes një deklarate të përbashkët, më herët liderët evropian “vlerësuan aspiratat evropiane dhe zgjedhjen evropiane të Ukrainës” dhe vunë në pah se aplikimi i saj për anëtarësim ishte dërguar “me shpejtësi” në Komisionin Evropian për “opinion” – faza fillestare e një procesi të gjatë drejt shpalljes së vendit kandidat dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim.
Presidenti ukrainas ditë më parë tha se pushtimi rus ishte “një moment vendimtar për të mbyllur një herë e përgjithmonë diskutimin e gjatë dhe për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës”. Kërkesa për anëtarësim në BE, ndodhi pak ditë pasi Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës.