SHBA vendos embargo ndaj naftës, gazit dhe qymyrit rus 

Presidenti Joe Biden ka konfirmuar embargon totale të Shteteve të Bashkuara ndaj naftës, gazit dhe qymyrit rus. Vendimi i paralajmëruar u mor “për t’i dhënë një tjetër goditje të fuqishme”, lidershipit të Putinit, tha Biden. “Ne nuk do të jemi pjesë e subvencionimit të luftës së Putinit”, shtoi ai.

Pavarësisht frikës për rritje të çmimit të naftës në vend, vendimi i Biden ka mbështetje të madhe nga i gjithë spektri politik amerikan.

Në SHBA, çmimi i naftës në pikat e fundore të furnizimit ka arritur në 4,17 dollarë për galon (rreth 1,1 dollarë për litër), ndërsa në bursa, çmimi ka arritur në 130 dollarë për fuçi.

Një vendim të ngjashëm mori edhe Britania e Madhe. Qeveria atje parashikon që të ndërpresë importin e naftës ruse deri në fund të vitit 2022. Periudha e tranzicionit do të përdoret për t’i dhënë kohë tregjeve, bizneseve dhe zinxhirit furnizues që të gjejë burime zëvendësuese.

Bashkimi Europian ka dalë kundër bllokimit të importimit të naftës ruse, por ka deklaruar se do të punojë për të ulur varësinë e kontinentit nga gazi rus.Importet ruse në Britaninë e Madhe zënë 8% të totalit, ndërsa nafta ruse zë 18% të totalit të karburantit të importuar në vend.