Moska zyrtare ka shpallur Maqedoninë e Veriut si vend jomiqësor. Lista e vendeve, të publikuar nga qeveria ruse, përfshin vendet anëtare të BE-së, Shtetet e Bashkuara si dhe të gjitha shtetet e tjera që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, shkruan Alsat.
Shefi i diplomacisë Bujar Osmani thotë se Ministria e Jashtme nuk është informuar për ndryshimin e qëndrimit të Rusisë për trajtimin e saj ndaj vendit.
“Pozicioni ynë ndaj Federatës Ruse në kuadër të këtij agresioni është shprehur qartë, është manifestuar publikisht dhe ne do t’i bashkohemi të gjitha vendimeve të Bashkimit Evropian në dënim, por edhe në përcaktimin e marrëdhënieve që do të kemi me Federatën Ruse, por do ta bëjmë në koordinim me BE-në e jo në bazë të ndonjë vendimi dypalësh”, tha Bujar Osmani- ministër i jashtëm.
Lidhur me publikimin nga kanalet zyrtare të rrjeteve sociale të ambasadës ruse në vend, ku thuhet se i evidentojnë me kujdes të gjitha incidentet lidhur me rusofobinë në botë, Osmani tha se bëhet fjalë për kërcënim klasik.
“Ne e interpretojmë si të tillë, si kërcënim që është jashtë komunikimit normal diplomatik mes dy vendeve. Në bazë të kësaj, pas këtij takimi kam organizuar takim në ministri për të vendosur se cili do të jetë reagimi ynë”, u shpreh Bujar Osmani- ministër i jashtëm.
Lidhur me integrimet evropiane, Osmani theksoi se te vendet anëtare mbizotëron mendimi se çështja e zgjerimit të Unionit nuk është më vetëm politike, por edhe çështje e sigurisë. Sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë për përshkallëzim të mundshëm, por për shkak të ndikimit rus në rajon dhe nacionalizmit në rritje, duhet pasur kujdes.