Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka vendosur kushtet e tij për vazhdimin e negociatave me Rusinë, duke insistuar se forcat ruse duhet ‘të ndalojnë bombardimin e njerëzve”, para se të fillojnë bisedimet për një armëpushim të mundshëm.
“Është e nevojshme që të paktën të ndalojë bombardimi i njerëzve, të ndalohen bombardimet dhe pastaj të ulemi në tavolinën e bisedimeve”, tha Zelenskiy në një intervistë për CNN dhe Reuters.
Zelenskiy u ka kërkuar shteteve anëtare të NATO’s që të vendosin zonë ndalim-fluturimi për të ndaluar forcat ajrore ruse.
“Partnerët tani, nëse nuk janë të gatshëm të pranojnë Ukrainën në NATO…sepse Rusia nuk e dëshiron Ukrainën në NATO, duhet të punojnë për të garantuar siguri për Ukrainën. Kjo do të thotë se ne kemi integritetin tonë territorial, kufijtë tanë janë të mbrojtur, kemi raporte të veçanta me të gjitha vendet fqinje, jemi të sigurt dhe garantuesit që na e japin sigurinë duhet të garantojnë ligjërisht një gjë të tillë”, citohet të ketë thënë Zelenskiy.
Mediat ruse kanë raportuar se takimi i dytë mes përfaqësuesve ukrainas dhe rusë, do të mbahet nesër. Por, sipas asaj që shkruan CNN, takimi duhet të konfirmohet edhe nga pala ukrainase.