Raporti javor i Institutit: Ulet për rreth 40% numri i të infektuarve nga koronavirusi

Vazhdojnë të ulen rastet pozitive me kovid 19 në vendin tonë. Instituti i Shëndetit Publik  ka publikuar raportin javor në lidhje me gjendjen e Koronavirusit në vend. Sipas raportit për periudhën 21 shkurt – 27 shkurt, janë regjistruar 3.702 raste të reja, që është për 39.5% më pak në krahasim me javën paraprake.

INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK

“Gjatë kësaj periudhe është regjistruar një rënie e rasteve pozitive në krahasim me javën e kaluar për 39,5 për qind. Përqindja e pozitivitetit varion nga 13,1% në 24,2%, mesatarisht 18,6%. Shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi, ndërsa incidenca më e lartë javore është regjistruar në Kavadar, Shkup dhe Gjevgjeli. Gjatë javës së kaluar janë raportuar gjithsej 543 ri-infeksione, një prej të cilëve është ri-infeksion i dytë, me një rënie prej 37,2% krahasuar me javën e kaluar”.

Të dhënat e institutit tregojnë se të infektuarit janë të të gjitha moshave, por më së shumti janë të grup –moshës mbio 60 vjet. Numri i ulët i të infektuarve është regjistruar tek grup-mosha 0-9 vjeç.

Raporti javor i institutit tregon për 68 vdekje në 19 qytete ose 45,6% më pak se një javë më parë. Shumica prej tyre janë nga Shkupi (27). Për sa i përket moshës, shumica ose 92, 6 % janë mbi 60 vjeç.

ISHP bënë të ditur se gjatë javës së fundit statusin e “të shëruarit” në kushte spitalore apo për mjekim shtëpiak e kanë fituar 6 094 persona.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut gjithsej janë vaksinuar 870.405 persona , prej të cilëve 849.727 me dy doza.