“Titanik”, dënime me burg për Janakieskin dhe Jankulloskën 

Nga katër vite me burg dhe katër vite dënime me kusht shqiptoi Gjykata Penale pas pranimit të fajit në rastin “Titanik” lidhur me parregullsitë zgjedhore. Ish ministri i transportit, Mile Janakieski mori dënimin më të lartë prej katër vite e gjysmë.

Ai vendimin e plotfuqishëm do ta presë në shtëpi pasi gjykata i shqiptoi arrest shtëpiak. Ish ministrja e brendshme, Gordana Jankulloska u dënua me burg prej dy vite e gjysmë. Dënime prej një dhe tre vite morën Munir Pepiq dhe Kosta Mitrovski. Në ndërkohë, shefi i kabinetit të ish kryeministrit Gruevski, Martin Protugjer mori dënim me kusht. Gjithashtu, dënim me kusht mori edhe ish zëvendës- ministrja e drejtësisë, Biljana Brishkovska Boshkovski dhe dy të akuzuar të tjerë.

“Të akuzuarit kanë vepruar në grup si dhe kohëzgjatja e periudhës kohore në të cilën janë bërë veprimet. Për të akuzuarit, Mile Janakieski dhe Gordana Jankulloska, si rrethana rënduese, gjykata e vlerësoi faktin që kundër veprimet juridike të akuzuarit i kanë ndërmarrë nga pozita e bartësit të postit shtetëror, edhe atë ministre i transportit dhe lidhjeve dhe ministre e brendshme në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Rrethana që të njëjtit deri më tani ngarkohen dhe ndaj tyre zhvillohen procedura për vepra të tjera penale”, deklaroi Osman Shabani- gjykatës në Gjykatën Penale.

Gjykata ka vlerësuar se të akuzuarit janë koordinuar që të veprojnë në favor të VMRO DPMNE-së në proceset zgjedhore në vitet 2011 dhe 2014. Është planifikuar kush të mos votojë dhe kush të pozicionohet në vendvotim tjetër që atje partia të fitojë votë të sigurt më tepër. Banorëve të Liqenasit në Shqipëri, u janë dhënë letërnjoftime që të mund të votojnë në zgjedhjet në Maqedoni. Në rastin “Titanik” ka 200 dëshmitarë, 1000 biseda telefonike dhe 5900 dëshmi materiale. Gjykimi filloi në prill të vitit 2018, por më pas u kthye prej në fillim, tetë persona pranuan fajin. Gjykimi do të vazhdojë për 13 persona, mes të cilëve edhe për ish zyrtarët e VMRO-së, Ilija Dimovski, Kirill Bozhinovski ndërsa në mungesë do të gjykohet edhe Nikolla Gruevski.