Qeveria nesër do ta kufizojë fitimin në tregti në 15 për qind

Në tërë zinxhirin tregtarë, marzhat do të kufizohen deri në 15%. Siç mëson Alsat, këtë vendim qeveria do ta njoftojë nesër.

Sipas informacioneve, marzha do të vlejë njësoj edhe për shitjen me shumicë edhe me pakicë.

“Dokumenti të cilin e siguruam tregon se nga shpenzimi i përgjithshëm për prodhimin e një produkti të caktuar, fitimi i tregtarit që ua shet produktin qytetarëve, nuk mund të ketë fitim më të lartë se 15%”.

Bëhet fjalë për produktet e njëjta për të cilat vlente masa për ngrirjen e çmimeve me pakicë. Këtë herë, listës do t’i shtohen frutat dhe perimet.

Kjo do të thotë që, me vendim të Qeverisë kufizohen marzhat e bukës, sheqerit, kripës, miellit tip 400, vaji, mishi dhe produktet e mishit, djathit, gjizës, orizit, vezëve, pastave dhe grurit.

Marzhat e kufizuara deri 15%

-Frutat

-Perimet

-Buka

-Sheqeri

-Kripa

-Mielli tip 400

-Vaji

-Mishi dhe produktet e mishit

-Djathi dhe gjiza

-Orizi

-Vezët

-Pastat

-Gruri

Ky vendim për kufizimin e marzhës do të jetë i vlefshëm deri më 31 maj. Më 4 dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria vendosi të ngrijë çmimet e produkteve ushqimore deri më 31 janar të këtij viti. Por, më vonë autoritetet vendosën të zgjasin masën deri në fund të këtij muaji.

Pavarësisht çmimeve të ngrira, qytetarët ankohen çdo ditë e më shumë se jetesa është gjithnjë e më e shtrenjtë dhe mezi ia dalin. Këtë e konfirmojnë edhe nga Enti Shtetëror i Statistikave, nga ku kanë bërë të ditur se përkundër ngrirjes së çmimeve, ka pasur rritje të çmimeve të këtyre produkteve. Në sektorin e ushqimit rritja ishte 8.5 për qind, ndërsa në produktet bujqësore mbi 7 për qind. Në raport thuhet se kostoja e blerjes së bukës është rritur për 10 % ndërsa e mishit 6%./ Alsat.mk