Tre shtetas të Maqedonisë tentojnë të hyjnë në Kosovë me teste të falsifikuara anti-COVID 

Tre persona janë arrestuar dje në pikë kalimin kufitar në Han të Elezit, pasi kanë prezantuar dokumentet e vaksinimit të cilat dyshohet se janë falsifikuar.

Siç bëhet e ditur në raportin 24 orësh i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë Veriore ka prezantuar një dokument të vaksinimit i cili është dyshuar se mund të jetë i falsifikuar, e më pas i dyshuari ka pranuar se dokumentin e ka marrë në mënyrë jo të rregullt.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt. I dyshuari është kthyer në Maqedoninë Veriore.

Ndërsa edhe dy të dyshuar një mashkull dhe një femër shqiptar shtetas i Maqedonisë Veriore kanë prezantuar dokumente të vaksinimit të cilat është dyshuar se mund të jenë i falsifikuara, e më pas të dyshuarit kanë pranuar se dokumentet i kanë marrë në mënyrë jo të rregullt (pa i marrë vaksinat anti Covid 19).