Kërkohet shfuqizimi i certifikatave të vaksinimit, ja ç’thotë KSI

Kërkimi i certifikatave të vaksinave gjatë hyrjes në disa objekte të caktuara duhet të hiqet menjëherë. Kështu vlerëson epidemiologu Dragan Danillovski, i cili masën e vlerëson si të pakuptimtë, e të pabazë. Sipas tij, në periudhën kur situata është qetësuar dhe kemi një variant më të butë si Omicroni, nuk duhet të insistohet në vaksinim. Danillovski shton se e njëjta është dashur të bëhet më herët me ndonjë fushatë më agresive.

“Për masat, mendoj se duhet urgjentisht të shfuqizohen certifikatat e vaksinimit, sepse e dimë se vaksinat nuk mbrojnë nga infektimi, edhe po lulëzon biznesi me falsifikime. Është e papranueshme me këtë masë e cila profesionalisht është e paarsyetueshme dhe e pakuptimtë, pra certifikatat, tani që e kemi Omicronin, të insistohet që të rritet përfshirja e vaksinimit, është e pakuptimtë”, vlerëson Danillovski.

Por nga Komisioni për sëmundje ngjitëse, i cili sjell rekomandimet për mbrojtje nga Covid-19, thonë se tani për tani nuk ka shanse masa për certifikatat të shfuqizohet. Zëdhënësi i Komisionit, doktor Zllate Mehmedoviq thotë se e njëjta i mbron qytetarët që nuk kanë imunitet.

“Qëllimi i certifikatave është kjo për momentin. Të mos i lejojmë të jenë në atë anë ata që nuk kanë imunitet. Në momentin që do të kemi relaksim të situatës epidemiologjike, kur nuk do të kemi shifra aq të larta të të infektuarve, gjithsesi mund të bisedojmë edhe për masa tjera, por aktualisht nuk ka shanse të mendohet për shfuqizimin e tyre”, shton Mehmedoviq.

Ndryshe masa e kërkimit të certifikatave të vaksinave gjatë hyrjes në objekte gastronomike, qendra tregtare e kështu me radhë është në fuqi nga muaji gusht. Ndërkaq përqindja e imunizimit të popullatës nga ajo periudhë nuk ka lëvizur shumë. Nga muaji shtator ka një ulje drastike të interesimit për vaksinim sipas shifrave të raportit të Institutit të Shëndetit Publik. Ka një vit që ka nisur vaksinimi anti-covid në vendin tonë, e që atëherë me dy doza janë imunizuar 847.072 qytetarë, ndërsa me dozë të tretë 137.048 qytetarë.