“Titanik”, tetë të akuzuar pranojnë fajin 

Ish zyrtarët qeveritarë Mile Janakieski, Gordana Jankullovska dhe Martin Protugjer dhe pesë të akuzuar të tjerë kanë pranuar fajin për parregullsitë zgjedhore në rastin “Titanik”. Ata kërkuan falje publike, shkruan Alsat.

“Ndjej nevojën për të marrë përgjegjësi dhe për të demonstruar akt moral. Shfrytëzoj rastin t’u kërkoj falje të gjithë atyre që janë fyer dhe lënduar në çfarëdo mënyre duke dëgjuar të ashtuquajturat “bomba”, tha Mile Janakieski- i akuzuar.

Me këtë, u pranuan veprat e falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave, vepra penale me çka u ngarkuan ish-zyrtarët për manipulim të listave për persona nga Pusteci të cilët në vitin 2013 votuan në Qendër. Prokurorja Lile Stefanova kërkoi dënim me kusht për Jankullovskën dhe Protugjerin dhe zbutje të dënimit për Janakieskin.

“Secili nga prokurorët e pranishëm ka rrethanat e tij lehtësuese dhe rënduese që gjykata duhet t’i vlerësojë”, tha Lile Stefanova, prokurore.

Ish-zyrtarët e VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, Kiril Bozhinovski, të cilët po ashtu akuzohen në “Titanik” sot para gjykatës janë deklaruar të pafajshëm. Për ta do të ndahet lënda.

“Përkundër faktit se ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski ka pranuar fajësinë për parregullsitë zgjedhore, ai do duhet të vijë në gjykatë për t’u gjykuar për rastin “Titanik”, sepse nuk e ka pranuar fajësinë për veprën e keqpërdorimit të mjeteve financiare për fushatën zgjedhore të vitit 2012.

Pas pranimit të fajit ka reaguar i arratisuri Nikolla Gruevski.

“Prokuroria synon nëpërmjet pranimeve të tilla të imponuara të fajit të përpiqet historikisht dhe ligjërisht të mbulojnë fajin e tyre për një ndjekje të madhe politike që ka të gjitha elementet e ndjekjes së diktaturave dhe regjimeve jodemokratike gjatë histories”, ka shkruar Nikolla Gruevski, i arratisur

Gruevski si ish-kryeministër është i akuzuari i parë për parregullsitë zgjedhore në rastin “Titanik”.