Italia heq detyrimin për maskat prej 11 shkurtit

Italia mund të heqë detyrimin për mbajtjen e maskës në të gjithë territorin e saj prej datës 11 shkurt. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë i thanë agjencisë së lajmeve ANSA se vendimi është duke u diskutuar dhe do të jetë një shenjë shprese për italianët.

Të njëjtat burime thanë se më pas do të vendoset nëse do të hiqen maskat edhe në zonat e verdha dhe portokalli të rrezikut. Autoritetet shëndetësore italiane thanë se vala e infeksionit është në rënie dhe në 31 Mars mund të hiqet gjendja e jashtëzakonshme.

Kërkesat për heqjen e kufizimeve dhe rikthimin në jetën normale po shtohen edhe në Gjermani. E përditshmja gjermane Bild ia bëri këtë kërkesë publikisht qeverisë përmes një artikulli, ku shkruan se nuk ka më arsye për kufizime teksa Omicron po i shndërron infektimet në një virozë të zakonshme, transmeton tvklan. Për këtë i referohet shifrave ditore që po thyejnë çdo rekord të gjithë periudhës së pandemisë, por që nuk e kanë shtuar numrin e të shtruarve në terapinë intensive apo atë të vdekjeve. Kërkohet ndjekja e shembullit të Suedisë dhe Danimarkës.